Moderatorja e njohur shqiptare Fiori Dardha zbuloi në muajin shtator se mamaja e saj u shtrua në spital por pa treguar detaje. Ditën e djeshme më atë të një mini-intervistë me ndjekësit në Instagram, zbuloi më shumë detaje rreth gjendjes shëndetësore të mamasë. Ajo u shpreh se nëna e saj “po vuan nga sëmundja më e tmerrshme më botë, por është një grua e fortë.”
“Mami im po lufton me sëmundjen më të tmerrshme në botë dhe për mua është gruaja më e fortë mbi tokë! Tani ndodhet në shtëpi, shkojmë në spital vetëm për të bërë kimioterapitë,”- shkroi ajo, teksa u pyet nga ndjekësit mbi gjendjen shëndetësore të nënës së saj.
Moderatorja tregoi se po e përballon sëmundjen e mamasë “duke qarë fshehurazi”, ndërsa shtoi se po qëndron në krah të saj duke u kujdesur për të.
“Vuajtja pafund është … Si po e përballoj? Duke kaluar më shumë kohë me të, duke e dëgjuar (në ato pak momente që ka fuqinë të flasë), duke i bërë çdo shërbim që ka nevojë, duke i shprehur mirënjohjen dhe dashurinë që kam, duke i thënë se jam vajza më krenare në botë që kam një nënë si ajo, duke e “pushtuar” me puthje e përqafime, duke i bërë foto dhe video (fshehurazi, sepse i kanë rënë flokët nga kimioterapia dhe nuk pranon foto), duke i dhënë kurajo se do të shkojë gjithçka mirë! Si po përballoj? Duke qarë fshehurazi!”– shkroi Fiori Dardha.