Fiton Gazetarinë në Elbasan, sapo nis vitin akademik mbyllet dega. E reja nuk mban lotët: Ëndrra u pre në mes

Fatma Banka tregon për emisionin investigativ “Stop” se ka aplikuar dhe fituar të drejtën e studimit për Gazetari dhe ka nisur shkollën në 17 Tetor. Aty u kuptua se ishte studentja e vetme në këtë degë dhe meqë nuk ishte plotësuar grupi me 8 veta, Fatmës i thonë se duhet të zgjedhë degë tjetër, Gjuhë-Letërsi, ose Histori-Gjeografi.

E reja thotë se duhet të ishte njoftuar që në datën 13 apo 14 Tetor, por kjo gjë nuk ndodhi. Në këto kushte, Fatma takon dekanin për sqarim e më pas edhe rektorin. Por sërish nuk merr zgjidhje. I bën shkresë Ministrisë dhe merr përgjigje, se duhet ta sqarojë me universitetin.

Denoncuesja: Jam Fatma Banka nga Elbasani, ëndërroj Gazetarinë. Rezultova fituese nga aplikimi. U regjistrova në raundin e parë në Universitetin Aleksandër Xhuvani. Që në ditën e parë që kam vënë këmbët në universitet, më 17 Tetor, Ardian Lame më thotë: Ti do të studiosh Gjuhë-Letërsi ose Histori-Gjeografi sepse nuk formohet grupi prej 8 vetash në Gazetari. Isha vetëm unë e regjistruar dhe marr vesh për herë të parë që isha vetëm unë e regjistruar.

Gazetarja: Pse vdiq, Gazetaria këtu në Elbasan?

Denoncuesja: Nuk i dija këto rregulla.

Gazetarja: Pse s’më the të kisha marrë një tufë me lule? Pse ka ndodhur kjo? Mos janë trembur nga pedagogët e Gazetarisë këtu në Elbasan dhe ja kanë futur vrapit e kanë ikur në Tiranë?

Denoncuesja: Dhe ëndrra ime për Gazetari nuk po plotësohej, u pre në mes (qan).

Gazetarja: Çfarë do ti?

Denoncuesja: Dua Gazetarinë, dua transferimin, në Tiranë ka vende plot dhe këtë po e bëjnë të pamundur, po më lënë pa një vit shkollor.

Gazetarja: E mbaj mend si sot kur kam qenë të Universiteti Xhuvani me not, kanë qenë 150 studentë. Kishte 3 grupe A, B dhe C. Unë ishte tek B-ja. Imagjino vetëm për pak vite si ka degraduar Gazetaria, vetëm 1 student edhe qofsh ti që je. Po mirë, çfarë bëre pastaj ti?

Denoncuesja: Sapo ma thanë, u mërzita shumë. Më ndihmo, dua vitin shkollor, dua të bëhem si ti.

Gazetarja: Gjatë kësaj kohe, derisa erdhe dhe u paraqite në universitet si studente gazetarie, nuk kishe një njoftim nga sekretaria?

Denoncuesja: Më tha dekani që nga 13-14 duhet të të kishim lajmëruar, por lëre  tani se i kujt është faji, ti do të bësh kështu, ose do të studiosh në këto degë që ka universiteti, ose viti yt humbet. Më ktheu gjithë fytyrën duke ikur, ndërkohë unë me mamin shtanga.

Gazetarja: Si e ndoqe ti këtë rast?

Denoncuesja: Kam 1 muaj që nuk pushoj. Iki në Tiranë tek Ministria e Arsimit, i kam shkruar Evis Kushit dhe me postë nga Elbasani. Më erdhi vetëm një përgjigje nga Ministria e Arsimit që thotë: të interesohet e interesuara për arsyet konkrete të mosaktivizimit të këtij programi studimi si dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Gazetarja: Ti a je sqaruar nga universiteti?

Denoncuesja: Jo. Kam zgjedhur t’i kërkoj Aleksandër Xhuvanit: Të lutem më bëj transferimin në Tiranë për Gazetari. Nuk dua të studioj gjuhë tjetër. Ju lutem Stopi të më ndihmoni. Dua transferimin për Gazetari ose të më thonin që në fillim. Unë mund të regjistrohesha vetë në Tiranë.