“Fit për Jetën” në Elbasan:  Kujdes dhe mbështetje për 350 të moshuar

Viti 2025 ka nisur me një tjetër arritje të rëndësishme për qytetarët e Elbasanit!

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu, kanë nënshkruar një marrëveshje e cila sjell në Elbasan shërbimin inovativ “Fit për Jetën”, një projekt pjesë e Fondit Social që synon të transformojë kujdesin për të moshuarit në komunitet.

Me krijimin e 5 qendrave të reja komunitare, Bashkia Elbasan i jep përparësi mbështetjes së të moshuarve, duke ofruar fizioterapi, mbështetje psikologjike dhe aktivitete sociale që promovojnë një jetë më aktive, të sigurt dhe të shëndetshme.

Këto qendra do të shërbejnë për 350 të moshuar, duke i ndihmuar ata të ndihen pjesë aktive e komunitetit, me një fokus të veçantë te mirëqenia dhe cilësia e jetës së tyre.

“Fit për Jetën” nuk është vetëm një projekt, por një dëshmi e angazhimit tonë për një shoqëri që kujdeset për të gjithë qytatarët e saj, duke përfshirë dhe respektuar çdo brez. Kjo është vetëm fillimi i përpjekjeve tona për një Elbasan më të mirë për të gjithë”, tha kreu i bashkisë z. Gledian Llatja.