Policia e Elbasanit ka arrestuar 46-vjeçarin Kimet Rexhepi në Elbasan pas operacionit të koduar “Start”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpinë e tij, Rexhepit i është gjetur një armë zjarri pushkë pa leje dhe një thikë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Start”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.Operacioni, i zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Sektorin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe me Sektorin Operacional në DVP Elbasan.
Sekuestrohen një armë zjarri pushkë dhe një armë e ftohtë (thikë). Vihet në pranga 46-vjeçari Kimet Rexhepi, që i mbante në banesë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Sektorin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe me Sektorin Operacional në DVP Elbasan, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas mbante armë zjarri në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Start”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
Kimet Rexhepi, 46 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit K. R., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë dhe një armë të ftohtë (thikë).
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.