Qyteti i Elbasanit që në ditët e para të fillimit të muajit dhjetor, është transformuar nga zbukurimet dekorative, ku dominojnë dritat shumë ngjyrëshe.
Qendra e qytetit është rikthyer në një ambjent super të bukur ku dominojnë simbolet e legjendës së babagjyshit të Vitit të Ri. Shtëpiza të vogla, dreri dhe pema e krishtlindjeve me plot drita shumëngjyrëshe e kanë rikthyer qendrën e Elbasanit në një ambjent vetëm dëfrimi dhe kënaqësie, më së shumti për fëmijët por jo vetëm.
Por jo vetëm kaq, e njejta atmosferë ndjehet edhe përgjatë të gjithë rrugëve të qytetit. Lokale të zbukuruara me drita, pemë, si edhe simbole të Vitit të Ri, i kanë shndërruar netët e qytetit, në “ ditë të bardha” dhe plot ngjyra.
“ Surprizat ende nuk kanë mbaruar”, pohon vetë kryetari i Bashkisë Gledian Llatja. Sipas tij, veç dekorit të zbukurimeve, qytetit të Elbasanit nuk do ti mungojnë edhe ambjentet e lodrave të cilat do të instalohen në qytet vetëm për fëmijët.