Festa “Nimfa e Liqeneve”, mbledh turistë vendas e të huaj në Belsh

 NGA FATMIR POPJA

Bashkia e Belshit e ka kthyer traditë që gjatë muajit Tetor, çdo vit të organizojë aktivitete të shumta me qëllim promovimin e bukurive të shumta natyrore ,pjesë e të cilave janë edhe 84 liqene karstike të zonës së Dumresë .Një ndër  aktivitetet dhe eventet superpromovuese të mrekullive natyrore të kësaj zone është edhe Festa “Nimfa e Liqeneve” që u zhvillua gjatë fundjavës që lamë pas .Nëpërmjet  kësaj Feste tradicionale dhe aktiviteteve të tjera të larmishme që zhvillohen gjatë Tetorit në destinacionet e shumta turistike të kësaj bashkie  promovohen  më së miri dhe në forma nga më mbresëlënëset edhe  kultura, traditat, kulinaria ,produktet bio , muzika, këngët , vallet  e kostumet popullore karakteristike të bashkisë së Belshit .Nëpërmjet këtyre promovimeve kjo bashki synon  që  të  nxitet dhe fuqizohet sa më shumë industria e turizmit  në zonën e Dumresë .Kjo bashki është ndër të paktat në vendin tonë që  gjatë viteve të fundit ka patur një zhvillim të vrullshëm të industrisë së turizmit duke i tejkaluar të gjitha pritshmëritë.

Kjo është arritur edhe  falë investimeve të  shumta të kryera si nga pushteti vendor edhe privatët në të gjitha drejtimet si në zonën urbane edhe në zonat  rurale . Aktualisht në Bashkinë e Belshit ,Agroturizmi dhe bujtinat  me shërbimet e tyre mjaft cilësore janë duke u shtuar kohë pas kohe .Mikpritja e shkëlqyer që ofrojnë këto biznese tëe shoqëruara me ushqime bio dhe me çmime të arësyeshme kanë bërë që me qindra e mijëra vizitorë nga e gjithë Shqipëria  dhe një numër  mjaft i madh turistësh të huaj nga të gjitha kontinentet  të zgjedhin të vizitojnë Belshin  ,sidomos gjatë fundjavave.

Të gjitha këto e  kanë kthyer këtë zonë në një nga destinacionet turistike më të preferuar.Kryebashkiaku i Belshit ,Arif Tafani ndihet krenar që kjo zonë gjatë viteve të fundit ka një zhvillim impresionues të industrisë së turizmit dhe e ardhmja e kësaj dege të ekonomisë sipas tij do ketë zhvillime mjaft pozitive .Ndërkaq edhe ministrat Arbjon Mazniku dhe Bora Muzhaqi të cilët inspektojnë shpesh investimet qeveritare dhe private që po realizohen në këtë zonë  shprehen të sigurtë se jo vetëm industria e turizmit por edhe bujqësia e pemtaria ,me vëmendjen dhe kujdesin e jashtëzakonshëm që po tregohet ndaj tyre do ndikojnë në fuqizimin e ekonomisë lokale të kësaj zone e cila duhet promovuar parreshtur për të thithur edhe më shumë turistë pasi Belshi dhe e gjithë zona e Dumresë ka potenciale të shumta jo vetëm në fushën e turizmit por edhe në fusha të tjera.

Sipas Arbjan Maznikut ,Tregu i ri Agroushqimor i hapur së fundi në Belsh është një mbështetje e rëndësishme për komunitetin e Belshit ku potenciali ekonomik i zonës po rritet me ritme të kënaqshme.