Tuesday , April 15 2025

Falë shkencës, dhëmbët e hequr mund të dalin sërish!

Shkencëtarët ia kanë dalë që të rrisin dhëmbë njeriu në laborator duke shënuar një moment të  rëndësishëm që mund “të revolucionarizojë kujdesin dentar”.

Kërkuesit e King’s College në Londër janë shprehur se dhëmbët e hequr të pacientëve mund të rriten sërish duke ofruar një alternativë tjetër nga mbushjet dhe implantet.

Ekipi shkencor ka krijuar një material që imiton mjedisin ku rriten dhëmbët duke bërë që qelizat të dërgojnë sinjale dhe të nisin të formojnë dhëmbin.

Ndryshe nga peshkaqenët dhe elefantët që mund t’iu dalin dhëmbët sërish, te njerëzit me rënien e dhëmbëve të qumështit nuk ndërrohen më.

Mundësia për të rigjeneruar dhëmbët do të shënonte një zhvillim të madh në stomatologji. Implantet dhe mbushjet nuk përshtaten me kalimin e kohës, ndërsa dhëmbët laboratorikë mund të ndërthuren me nofullën dhe të vetëriparohen si dhëmbët natyralë.

Studimi është zhvilluar në bashkëpunim me Imperial College prej më shumë se një dekade.

“Mbushjet nuk janë zgjidhja më e mirë për riparimin e dhëmbëve. Me kohën, ato dobësojnë strukturën e tij, kanë kohëzgjatje të kufizuar dhe mund të sjellin prishje të dhëmbit apo ndjeshmëri.  Impalntet janë invazive dhe të dyja këto opsione nuk rikthejnë funksionin e dhëmbit natyral duke sjellë ndërlikime afatgjata. Dhëmbët laboratorikë mund të rigjenerohen vetë dhe të integrohen në nofull si dhëmbët natyralë. Ata mund të jenë më të fortë, më jetëgjatë dhe mos të ketë rrezik për refuzimin e tyre duke sjellë një zgjidhje më rezistente dhe të përshtatshme biologjikisht”, thotë studiuesi Xuechen Zhang.

Tani shkencëtarët po shqyrtojnë dy mënyra për zhvillimin e dhëmbëve laboratorikë. E para mund të  jetë rritja e dhëmbit në  laborator para implantimit të tij. E dyta, qelizat mund të vendosen menjëherë në nofullën e pacientit ku mund të vijojnë zhvillimin e tyre./tvklan.al