Krijimi i një blogu tanimë është kthyer në një pasion por edhe në punë për shumë të rinj shqiptarë. Në dukje një angazhim “qejfi”, blogu në fakt kërkon një përkushtim maksimal dhe këtë e ka rrëfyer pa doreza një nga blogeret e modës të para në Shqipëri.
Sarah Berisha është një nga vajzat simpatike më të ndjekura në rrjete sociale, e cila ka spikatur për stilin e saj të veçantë shumë vite më parë. E ftuar në “Rozë” në “Premium Channel”, Berisha dhe moderatorja simpatike Mikaela Brokëri i dhuruan publikut një puntatë mjaft interesante.
Krahas kohës që i nevojitet për të realizuar çdo ditë nga një përmbajtje për ndjekësit në rrjete sociale, Sara rrëfeu përballë Mikaelës edhe vështirësitë për të pasur ndikim tek publiku si dhe për të shtuar numrin e “followers”. Blogerja e modës nuk nguroi as të “thumbonte” hapur të rinjtë që krijojnë një “blog” për të marrë produkte falas dhe të shtojnë ndjekësit nga “Giveaway-t”
“Në ditët e sotme janë shtuar shumë bloger, të them të drejtën dhe vajzat dhe djemtë e shohin si diçka…çfarë të bëj tani, po hap një blog që deri diku të marr veshje dhe produkte falas. Me pak fjalë nuk të paguan njeri aq lehtë dhe kjo gjë dihet. Një gjë që më bezdis deri diku, janë këto vajza që i arrijnë ndjekësit me Giveawayt, që janë këto Giveawayt e mëdha se të vogla kam bërë dhe unë në Instagramin tim personal, por janë këto të mëdhajat. Domethënë ti e hap blogun këtë muaj dhe për një muaj ti arrin aq followers sa mua si Sar më janë dashur dy vjet. Kjo është diçka e padrejtë deri diku”, u shpreh Sara Berisha në Rozë.