Epidemiologu i njohur: Imuniteti i grupit në Shqipëri, pothuajse i paarritshëm, doza e tretë e…

Kjo është vjeshta e dytë që bota dhe rrjedhimisht vendi ynë po përballen me makthin e pandemisë të koronavirusit. I ftuar në A2, epidemiologu Alban Ylli jep një situatë që ende nuk jep përgjigje përfundimtare opinionit publik. Sipas tij, “po mbyllet një valë por është një frenim i përkohshëm, por ende risku mbetet i lartë dhe presim që në muajt në vijim pandemia të vijojë. Shpresojmë gjithsesi që në fund të vitit të kalojmë nga faza pandemike, emergjente, në një problem të shëndetit publik, të krahasueshëm me të tjerë”.

Për Yllin, mbetet vaksina përgjigja më e saktë, ajo që do të përcaktojë fundin e emergjencës, sepse imuniteti i tufës nuk është arritur dhe nuk dihet a do të arrihet. “Vaksina është zgjedhje për mbylljen e pandemisë, por shumë vende janë mbrapa dhe nuk kanë aksesin e duhur. Imuniteti i tufës në Shqipëri nuk është arritur, madje në kushtet e varianteve të reja e kemi quajtur këtë lloj imuniteti pothuajse të paarritshme. Por gjithsesi sa më shumë persona të jenë të vaksinuar, aq më e mbrojtur do të jetë popullata. Për të zhdukur nga qarkullimi virusin e fruthit, duhet 90% të popullsisë të vaksinuar, kurse ne jemi shumë larg kësaj”.

Ai bën edhe një krahasim. “Variantet e shumta e kanë shndërruar imunitetin nga një mur në një gardh, ku diçka gjithsesi depërton”.

Për epidemiologun një dozë e tretë është e nevojshme, “dhe do të ndihmojë për të shpëtuar edhe më shumë jetë. Prirjet duken për një vaksinim sezonal, ndoshta për grupet në rrezik, pak a shumë si ndodh me gripin”.

Efektet  e debatit në mediat në Shqipëri sipas tij  kanë patur efekte më negative sesa në Europë. “Çështja e detyrimit nuk duhet të na stepë nga vaksinimi, dhe është term që shmanget tashmë, por masat kanë pasur objektivin të inkurajojnë personat e vaksinuar që të marrin pjesë në jetën sociale dhe të dekurajojë të pavaksinuarit, pra një shtysë për vaksinim, siç janë masat e tjera të shëndetit publik, por ne nuk diskutojmë për klorin në ujë. Ata që flasin për fëmijët duhet të dinë se fëmijët e tyre janë vaksinuar me dhjetëra doza vaksinash ndër vite. Kemi më shumë konfuzion se zgjedhje ideologjike, shumica e komunikimit është bërë përmes mediave, dhe nuk është bërë mjaftueshëm nga institucionet për të arritur te pacientët”, thotë epidemiologu.