Enkileda Carja është vajza nga Elbasani, e cila ka filluar të merret me peshëngritjen që në moshën 9-vjeçare. Aktualisht ajo është 13 vjeçe dhe ka arritur, të jetë pjesëmarrëse në aktivitetet kombëtare, duke u shpallur dhe “Kampione Shqipërie” për grupmoshat U17.
Trajneria e Carjas, Eglantina Cuni, njëkohësisht e para dhe e vetmja trajnere femër për vajzat në peshëngritje, ka bërë të ditur për portalin tonë se ka “kërkuar” fëmijët nëpër shkolla për të parë fizikun e tyre dhe se sa të prirur mund të ishin ndaj këtij sporti, i cili ndonëse jo fort i populluar në qytet, sërisht nuk i mungojnë talentet.
“Unë kam stërvitur fëmijë nga mosha 8 vjeç dhe në vazhdimësi kanë ardhur dhe vajza 20-vjeçare, të cilat kanë filluar sportin” Përsa i përketë palestrës në të cilën trajnohen kampionet e qytetit, godina i përket shoqatës “Dritan Kalemi”.
Nga viti 2017 ky ekip i vajzave të qytetit ka marrë pjesë në çdo kampionat kombëtar, ku nuk kanë munguar as kupat e marra, as çertifikatat për moshat U15, U17,U20 apo edhe të rritur. Ekipi i vajzave, që aktualisht përfaqësojnë dhe “Sport Club Elbasan” është një vlerë e shtuar për qytetin duke bërë që Elbasani të jetë një ekip i denjë kundërshtar për ekipe si Partizani, Dinamo dhe Tirana.