Albana Zejnelhoxha është mësuesja nga Elbasani e cila gjatë ceremonisë së organizuar nga ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka marrë çertifikatën “Mësuesi/ja e vitit” për ZVA Elbasan.
Mësuesja nga Elbasani ka mbaruar studimet në vitin 1998 në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” për degën “Histori-Gjeografi” dhe ka mbi 20 vite eksperiencë në fushën e mësuesisë.
Prej vitit 2015 Zejnelhoxha mbart titullin Doktor Shkencash, pas mbrojtjes së temës “Turizmi kurativ në trevat Shqiptare, realitet dhe prespektivë” në Universitetin e Tiranës.
Mësuesja Elbasanase ka dhënë kontributin e saj në arsimimin e brezave në dy gjimnazet e mirënjohura të qytetit, “Kostandin Kristoforidhi” dhe “Dhaskal Todri”, ku punon prej 7 vitesh.
Albana është mësuesja, që ka përgatitur nxënësit të cilët për herë të parë u sollën qytetit çertifikatë si fitues të “Olimpiadës Kombëtare të Gjeografisë” në vendin e tretë, gjatë periudhës 2020-2021.
Zejnelhoxha është një nga mësueset që vazhdojnë të japin kontributin e çmuar, jo vetëm në mësimdhënie por edhe në hartimin e tezave të maturës, në konferencat, në bashkëpunimet me ASCAP (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar) duke realizuar punë profesionale dhe shkencore.
Ajo është ndër mësueset e kualifikuara të “Dhaskal Todri”-t, thënë kjo si ish-nxënëse që flet në emër të të gjithë brezave të kaluar të gjimnazit. Të gjithë e kujtojnë atë si të afërt me nxënësit, duke i trajtuar të gjithë njësoj dhe duke u lidhur emocionalisht me të gjithë.
Në ceremoninë e organizuar mësuesit janë falenderuar për kontributin e tyre në arsimimin e brezave ndër vite./ elbasanion