Eligerta e ka ndryshuar, tashmë, mentalitetin e një zone rurale si Mollasi. Me realizimin e filmit të parë “Të duam ashtu si je”, ku skenari, regjia madje edhe aktrimi i personazhit kryesor mbajnë firmën e saj, ajo është bërë e famshme. Mund të tingëllonte si e pamundur që një vajzë nga një zonë rurale dhe mbi të gjitha me aftësi të kufizuara të realizonte e vetme një film, por ja që është e vërtetë. Eligerta Sade është luftarake, por nuk lufton vetëm. Babai i saj, Gëzim Sade tregon se është munduar t’i krijojë kushtet vajzës së tij që të vazhdojë shkollën dhe të realizojë ëndrrën e saj. Ai ka besim te Eligerta, te karakteri i saj i fortë dhe dëshira për jetën.
“Ajo ka karakter të fortë dhe unë s’ja kam prishur kurrë. Ajo ka guximin e saj, ndihmën tonë dhe do t’ia dalë mbanë. Eligerta përcjell një mesazh të fortë për të gjithë fëmijët që janë në gjendjen e saj – të mos dorëzohen”.
Eligerta studion në gjimnazin “Osman Gjini” në Mollas. Për të bërë të mundur shkollimin, familja i ka siguruar një automjet, ndërkohë miqtë e saj e ndihmojnë atë çdo ditë që të ngjisë shkallët me karrocë dhe të marrë pjesë në mësim. Klodiani nuk e ndjen detyrim ta shoqërojë çdo ditë në shkollë, por e bën me shumë dëshirë, pasi nga Eligerta ke çfarë të mësosh. Ajo të bën për vete me zgjuarsinë, vullnetin dhe dëshirën për të bërë gjëra të veçanta, si realizimi i filmit, ku ai ka marrë pjesë me shumë dëshirë.
“Nuk e ndjej si detyrim dhe ajo ma kthen shumëfish miqësinë. Ne e ndihmojmë njëri – tjetrin pa asnjë interes.”
Është viti i dytë i Eligertës në shkollën e mesme dhe shoqëria e saj është zgjeruar shumë. E gjithë klasa është krenare për nismën e saj. Mësuesja kujdestare, Gazmira Frakulli tregon se Eligerta ishte e para nxënëse me aftësi të kufizuara në këtë shkollë dhe stafit pedagogjik iu desh të bëjë disa modifikime për t’i krijuar mundësinë vajzës të ndjekë normalisht mësimin. Ndërkohë, sa i përket planit për një film të dytë, ajo, duke shprehur edhe mendimin e nxënësve të tjerë thotë se do ta ndihmojnë Eligertën.
“Që ditën e parë që erdhi në shkollë Eligerta më befasoi për vullnetin e saj. E vetmja vështirësi që ajo pati, fillimisht, ishte se hyrja e shkollës nuk ishte e pështatshme për personat me afësi ndryshe. Por edhe ky problem u zgjidh dhe tani gjithçka është shumë mirë. Ne e kemi mbështetur filmin esaj dhe nxënësit e kanë vlerësuar, sepse vetë Eligerta është një person që e vlerëson veten”
Eligerta ka jetën e saj sociale. Mblidhet çdo ditë pas mësimit me shoqërinë dhe këmbejnë ide e mendime edhe për projektin e radhës, i cili, këtë herë, do të jetë një film më i gjatë dhe do të dalë përtej Mollasit .
“Do të jetë një film më i gjatë me tematikë ndryshe dhe do të bazohet mbi një hisotri të vërtetë. Do të përfshijë shumë persona dhe shumë ngjarje. Do të jetë rreth 1 orë e gjysëm”
Shoqëria e Eligertës e mbështet suksesin e saj. Energjitë, iniciativat dhe dëshirat e 19 vjeçares e kanë bërë lidere të grupit, sepse ajo bëri diçka përtej rutinës, përtej mentalitetit të fshatit duke ndjekur pasionet.
“Falenderoj gjithë klasën. Më kanë ndihmuar shumë kudo. Janë pjesë e forcës sime dhe i dua shumë!”
Eligerta ka një ëndërr: të vazhdojë Akademisë e Arteve për regjizurë.
“Endrra ime është të vazhdoj Akademinë e Arteve dhe mendoj se e gjej veten te aktrimi dhe regjisura. I dua të dyja edhe shkollën edhe talentin”
Në rrugën e saponisur drejt realizimit të ëndrrave, mes dëshirave dhe mundësive, Eligerta e përcjell gjithmonë mesazhin e saj jo vetëm për personat me aftësi ndryshe por për të gjithë të rinjtë.
“Gjithsecilit mund t’i ndodhin fatkeqësi dhe duhet ta pranojmë veten siç jemi. Jeta është e bukur. Unë jam e lumtur. Familja më ndihmon dhe shoqëria gjithashtu. Unë nuk dorëzohem kurrë.”