Thursday , April 24 2025

Elbasani, urë miqësie përtej kufijve, kryebashkiaku Llatja pret kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani

Delegacioni i Komunës së Preshevës, i kryesuar nga kryetarja Ardita Sinani, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Elbasan, ku u prit nga kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja.

Gjatë takimit, Llatja u shpreh se në kuadër të kësaj vizite janë organizuar një sërë aktivitetesh kulturore që thellojnë miqësinë mes dy qyteteve tashmë të binjakëzuara. “Nuk kemi lënë pas dore as bashkëpunimin ndërmjet bizneseve, që po e çojmë në një fazë të re,” theksoi ai.

Nga ana e saj, kryetarja Sinani vlerësoi bashkëpunimin në fusha si kultura, arsimi, media, arti dhe informimi, duke theksuar se këto janë elementë kyç për të tërhequr fonde të Bashkimit Europian. Ajo falënderoi shtetin shqiptar për mbështetjen dhe nënvizoi rolin e diasporës. “Ne kemi një diasporë jashtëzakonisht të rëndësishme që jep një kontribut të madh, ndaj ky bashkëpunim është thelbësor për forcimin e faktorit shqiptar në tërësi dhe veçanërisht për Luginën e Preshevës.”

Delegacioni vizitoi edhe pikat kulturore të qytetit, si Muzeun Etnografik, Kalanë e Elbasanit dhe Bazilikën paleokristiane pranë Rrapit të Bezistanit. Vizitorët u njohën me trashëgiminë historike dhe identitetin kulturor të Elbasanit, që mbetet një urë miqësie dhe bashkëpunimi përtej kufijve.