Saturday , April 26 2025

Elbasani, shifrat e një ekipi të ndryshuar. Verdheblutë mund t’ia dalin që të jenë pjesë e “Final 4”

Ringritja e Elbasanit nuk ka qenë rastësore, me shifrat e këtij sezoni dhe sidomos të javëve të fundit, që japin shpresë për të kaluar edhe pengesën e Partizanit.

Edhe pse për sezone të tëra ka qenë thuajse një mision i pamundur që një ekip i ardhur nga Kategoria e Parë të jetë konkurrues, verdheblutë treguan se nuk ka më të pamundura. Për të evidentuar sezonin e Elbasanit para finales me Partizanin, “Panorama Sport” pasqyron numrat që tregojnë se verdheblutë mund t’ia dalin këtë të diel, që të paktën të mos munden dhe të jenë pjesë e “Final 4”.

0 – Bëhet fjalë për humbjet e Elbasanit këtë sezon ndaj Partizanit. Në tri ndeshje janë dy barazime dhe një fitore e verdhebluve. Nëse do ta mbajnë kolonën e humbjeve ndaj të kuqve zero, atëherë do të jenë pjesë e “Final 4″.

2 – Kaq janë humbjet që ka bërë Elbasani jashtë shtëpisë së vet dhe bëhet fjalë për dy skuadrat që udhëheqin klasifikimin, Egnatian dhe Vllazninë. Asnjë skuadër nuk ka një bilanc kaq pozitiv jashtë shtëpisë, duke treguar se elbasanasit kanë një armë plus këtë fundjavë ndaj Partizanit. Këtu nuk llogariten humbjet ndaj Dinamos, pasi ndeshjet janë luajtur në “Elbasan Arena”.

6 – Bëhet fjalë për numrin e ndeshjeve radhazi që Elbasani shkon te goli. Një tregues se verdheblutë po funksionojnë tani edhe në sulm, duke gjetur në mënyrë konstante rrugën e rrjetës. Nëse ia dalin të shënojnë edhe ndaj Partizanit, rriten shanset për një rezultat pozitiv.

7 – Aq sa numri i ndeshjeve të humbura në total. Sërish edhe në këtë aspekt bëhet fjalë për ekipin që ka pësuar më pak disfata këtë edicion. Një arritje jo e vogël për skuadrën që drejtohet nga Ivan Gvozdenoviçi, duke lënë pas skuadrat e tjera.

10 – Verdheblutë kanë rikuperuar jo pak, por plot 10 pikë këtë edicion ndaj Partizanit. Kjo ka qenë diferenca më e madhe e skuadrave dhe është regjistruar në javën e 23-të, ku Partizani kishte 39 pikë dhe Elbasani 29. Atëherë dukej utopi përmbysja, ndërsa tani është realitet.

11 – Kaq janë ndeshjet radhazi pa humbje të Elbasanit, duke e kthyer në skuadrën e momentit në ndeshjet e fundit. Në saje të këtyre rezultateve, verdheblutë bënë kapërcimin galopant për arritjen në zonën e “Final 4”.

19 – Bëhet fjalë për numrin e ndeshjeve të Ivan Gvozdenoviç si timonier i skuadrës së Elbasanit në Superiore, që kur mori drejtimin pas dorëheqjes së Roberto Bordin. Arriti që të sjellë rezultatet në Elbasan.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL