Elbasani përgatitet për protestën, njofton vendosjen e autobusëve falas drejt Tiranës

Një ditë para protestës së 7 korrikut të thirrur nga opozita, kryetari i PD në Elbasan Blendi Himçi në një dalje për median i ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës masivisht.

Sipas Himçit temperaturat ekstreme të motit nuk e kanë ndalur abuzimet e qeverisë dhe bordet komuniste ta bëjnë edhe më të vështirë jetën e qytetarëve shqiptarë. Në cilësinë e kreut të PD, Himçi ftoi qytetarët të mos jenë indiferentë, por të marrin në dorë fatin e tyre.

“Të dashur qytetarë të Elbasanit, qeveria është e përfshirë në skandale që kanë në thelb vjedhjen e qytetarëve dhe pasurimin e pushtetarëve. Cdo ditë shohim si zbardhen afera që favorizojnë grupe të ndryshme interesi të cilat përgjigjen me devotshmëri për regjimin e Edi Ramës sa herë ka procese zgjedhore. Por edhe bordet komuniste të Edi Ramës për çmimin e karburanteve dhe çmimet e produkteve të shportës luajnë në mënyrën më cinike me xhepat e qytetarëve. Është fakt që shqiptarët paguajnë naftën më të shtrenjtën në rajon. Të dashur qytetarë situata është kritike dhe shpresa me këtë qeveri është vrarë. Askush nuk duhet të qëndrojë indiferent, askush nuk duhet të shohë i pashqetësuar si pasurohen në kurrizin e shqiptarëve pushtetarët. Fjalia “ç’më duhet mua duhet të jetë dëshpërimi që i përket të shkuarës. Nesër më 7 korrik shqiptarët do të jenë përkrah opozitës së vërtetë, do të jetë një ditë ndryshimi”, tha Blendi Himçi, Kryetar i PD Elbasan.