Elbasani nuk ia del në Pogradec, merr vetëm 1 pikë. Shënon një ish-pogradecar

Elbasani është ndalur në një barazim 1 me 1 në transfertë me Pogradecin, duke marrë një pikë të vlefshme. Edhe pse verdheblutë e drejtuar nga Gentian Stojku hynë në fushë për të koleksionuar fitoren e dytë radhazi, në fund i kënaqen një pike përballë një rivali direkt. Sa i përket ndeshjes, ajo ka qenë e rivalizuar nga të dyja ekipet në fushë, me pjesën e parë, që përpos rasteve është mbyllur në barazim pa gola. Në fraksionin e dytë janë vendasit ata që kalojnë në avantazh me anë të Rapos. Gjithsesi, elbasanasit nuk dorëzohen dhe arrijnë të barazojnë shifrat me anë të Arsen Kasës, një ish i skuadrës së Pogradecit. Elbasanasit krijojnë volum loje dhe raste shënimi, por deri në fund shifrat do të mbeten të pandryshuara. Gjithsesi, një rezultat që ka lënë të kënaqur teknikun elbasanas.

Këtë përballje e kanë ndjekur nga afër edhe tifozë të mbërritur nga qyteti i Elbasanit me tifogrupin “Tigrat Verdheblu”, ndërkohë që nuk kanë munguar as tensionet si në fushë edhe në tribuna. Ndeshjen e radhës Elbasani do ta luajë në shtëpi përballë Devollit, ndërsa aktualisht koleksionon katër pikë pas dy takimesh.