Elbasani nuk është rastësi, Gvozdenoviç ka ndërtuar një mentalitet fitues

Elbasani i ndërtuar nga Ivan Gvozdenoviç duket se ka fituar admirues në qytet, sidomos kur vlerësimet vijnë nga ish-futbollistë të klubit. Njëri prej tyre është Mateos Toçi, i cili kontribuoi për verdheblutë në vite të vështira dhe u detyrua ta lërë futbollin para kohe për shkak të një dëmtimi. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-mesfushori i Shpresave vë theksin te puna e bërë nga Gvozdenoviç dhe te fakti që pozitat aktuale në renditje nuk janë aspak rastësi. “Elbasani nuk ka ardhur rastësisht në këtë nivel. Kjo skuadër është ndërtuar me punë, disiplinë dhe mbi të gjitha me një drejtim shumë të qartë nga stafi teknik. Duhet thënë hapur që trajneri ka bërë një punë shumë të mirë. Ai ka ditur ta organizojë ekipin në fushë, t’i japë identitet loje dhe të krijojë një grup të bashkuar. Elbasani sot duket skuadër me ide të qarta, me lëvizje të studiuara dhe me qetësi në momentet kyçe. Kjo nuk vjen vetë, është rezultat i përgatitjes serioze gjatë javës dhe i një trajneri që di të lexojë ndeshjen. Më pëlqen edhe mënyra si e menaxhon grupin. Ka krijuar konkurrencë të shëndetshme brenda skuadrës, pa prishur harmoninë. Lojtarët e respektojnë dhe kjo shihet në fushë, sepse ekipi reagon si një i vetëm. Ai ka arritur të ndërtojë jo vetëm një formacion, por një mentalitet”, u shpreh fillimisht Toçi.

PRITSHMËRITË – Në vijim, ai ndalet edhe te objektivat që mund të arrijë Elbasani këtë sezon, duke theksuar se skuadra ka potencial për të qenë konkurruese deri në fund. “Sigurisht, merita kanë edhe drejtuesit që i kanë sjellë në ekip një grup të mirë lojtarësh. Këta nga ana tjetër po luajnë me karakter, me përgjegjësi dhe me shumë dëshirë. Po luftojnë për çdo top dhe po tregojnë se e ndjejnë fanellën e Elbasanit. Por drejtimi i duhur nga pankina ka qenë çelësi që kjo energji të kthehet në rezultate konkrete. Kur bashkohen disiplina, një trajner i zoti dhe një grup me mentalitet të fortë, atëherë arrihen këto nivele. Elbasani sot është aty ku duhet të jetë dhe, nëse vazhdon kështu, ka të gjitha mundësitë të bëjë edhe më shumë”, vijoi ish-futbollisti.

BYLISI – Toçi ndalet edhe te ndeshja e radhës ndaj Bylisit në “Elbasan Arena”. Sipas tij, sfida duhet trajtuar si një finale, pasi mallakastriotët kanë treguar se dinë të hapin probleme edhe për skuadrat që synojnë titullin. “Besoj se lojtarët e kanë të qartë që nuk ka ndeshje të lehta. Këtë e kanë treguar edhe në deklaratat e tyre, duke i vlerësuar maksimalisht kundërshtarët. Edhe me Bylisin është e njëjta gjë: duhet kujdes dhe impenjim maksimal. Është një ekip që mund të të hapë punë dhe e ka treguar se nuk është e lehtë ta mundësh. Elbasani duhet ta trajtojë si një finale që duhet fituar. Megjithatë, kam besim se do t’ia dalin me sukses”, përfundoi Mateos Toçi në prononcimin e tij për gazetën.