Elbasani mirëpriti edicionin e katërt të “Miss Mama”, kurorëzohet fituese Afërdita Alasani nga Struga

Qyteti i Elbasan u kthye në një skenë emocionesh, bukurie dhe historish frymëzuese, teksa këtë fundjavë u zhvillua edicioni i katërt i konkursit të veçantë të bukurisë “Miss Mama 2026”, një event unik që i kushtohet grave dhe nënave nga të gjitha trojet shqiptare.

Në këtë spektakël morën pjesë gra nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi si dhe nga diaspora shqiptare, duke sjellë në skenë histori jete, suksese profesionale, sfida personale, talente dhe mesazhe të forta për rolin e gruas në shoqëri.

Mbrëmja festive u shndërrua në një spektakël të vërtetë emocionesh, ku pjesëmarrëset ndanë me publikun rrëfime të veçanta nga jeta e tyre, duke dëshmuar forcën, kurajon dhe bukurinë e brendshme që karakterizon çdo nënë.

Në përfundim të këtij eventi u shpall fituese e “Miss Mama 2026” zonja Afërdita Alasani, 53 vjeçe, e martuar dhe nënë e katër fëmijëve, me origjinë nga Struga në Maqedonia e Veriut, e cila prej vitesh jeton dhe punon në Gjermani.

Historia e saj personale preku thellë publikun. Afërdita Alasani ndau në skenë sfidën e vështirë për përballimin e depresioni për një kohë të gjatë dhe rrugën e vështirë të kurimit, duke treguar forcën dhe vendosmërinë për ta përballuar dhe për ta kapërcyer këtë periudhë të vështirë. Rrëfimi i saj emocionoi të pranishmit dhe përcolli mesazhe të fuqishme shprese, kurajoje dhe besimi tek jeta.

Ideatorja, moderatorja dhe producentja e këtij spektakli, Xhilda Toska, shprehu mirënjohjen për të gjitha pjesëmarrëset që sollën emocione të jashtëzakonshme në finalen e këtij spektakli të veçantë. Ajo theksoi se “Miss Mama” është një event që synon të promovojë bukurinë natyrore, historitë e jetës dhe fuqinë e grave shqiptare.

Toska falënderoi gjithashtu Bashkinë e  Elbasanit për mbështetjen e dhënë në organizimin e këtij aktiviteti, i cili tashmë është kthyer në një traditë të bukur kulturore dhe sociale.

Pjesëmarrëset nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora shijuan njëkohësisht edhe atmosferën festive të pragut të Dita e Verës, festa simbol e qytetit të Elbasanit, duke e bërë këtë event edhe më të veçantë për të gjithë të pranishmit.

Edicioni i katërt i “Miss Mama” konfirmoi edhe një herë se bukuria e vërtetë nuk lidhet vetëm me pamjen, por edhe me historitë e jetës, forcën e karakterit dhe dashurinë për familjen dhe jetën.