Elbasani merr 3 pikë në tavolinë/ Rikthehet dhuna në futbollin shqiptar, goditet arbitri kryesor. Ndërpritet ndeshja, gjyqtari transportohet në spital

Ndeshja e javës së pestë në Kategorinë e Dytë mes Delvinës dhe AF Elbasanit u ndërpre pas 50 minutave lojë (0-0). Arbitri kryesor i ndeshjes, fieraku Xhulio Agolli u godit me sende të forta nga tifozët vendas këtë të diel.Të ndodhur pas porte dhe jashtë rrethimit të fushës, tifozët kanë goditur kryesorin e takimit, me lojtarët që sinjalizuan për ndihmë.

Vendasit pretenduan penallti në minutën e 48 të ndeshjes, me arbitrin që vijoi lojën. Të acaruar me vendimin, tifozët vendosën ta katranosnin dhe të ndërprisnin ndeshjen me dhunën ndaj arbitrit, duke rikthyer dhunën në futbollin shqiptar. Gjyqtari u shoqërua për mjekim në spital, me goditjen që duket se ka qenë e fortë. Pas ndërprerjes së takimit, AF Elbasani pret tri pikët dhe fitoren 0-3 në tavolinë. Kjo nuk është hera e parë që në stadiumin e Delvinës ndodhin ngjarje të shëmtuara, që nuk kanë lidhje me futbollin.