Elbasani gati për Ditën e Verës: Pandemia zbeh ngjyrat, por bashkia merr masat…

Për të dytin vit me radhë Elbasani mirëpret Ditën e Verës pa shumë entuziazëm. Pandemia ka zbehur festimet por jo zemrat e qytetarëve. Gjithsesi  ky 14 mars do të festohet në vatrat familjare, ndonëse me pak miq’. Elbasani është gati për të mirëpritur ditën e verës . Në bulevardin kryesor anës kalasë bashkia ka ngritur nje treg agro-ushqimor dhe artizanale. Për tregtarët është lehtësisht e kuptueshme që ky vit nuk i ngjan atyre para pandemisë. Por tek ofrojnë produktet e tyre përcjellin edhe urimin për një verë të begatë, me shpresën se do të rikthejë normalitetin.

Për të shmangur grumbullimet punonjësit bashkiake kanë zbritur në terren. Qytetarët duke ruajtur distancën kanë frekuentuar stendat e hapura dhe produktet e ekspozuara. Ndërkohë këto stenda bosh janë dëshmi e pasojave te pandemisë. Për mikrofonin e Fax news qytetarët shprehen se edhe këtë vit do të festojnë në vatrat familjare, ndonëse me pak miq.

Qendrës së qytetit dhe rrugicave këtë vit i ka munguar ëmbëlsira tradicionale e ballokumes. Edhe në furra këtë vit mësohet se është prodhur pak, pasi fuqia blerëse ka qenë fare minimale. Nëse një vit më parë vendi ishte ne karantinë totale, këtë vit bashkia ka vendosur të organizojë aktivitete që nuk cënojnë masat anti-Covid. Risi e këtij viti është dekori me lule shumëngjyrëshe në pikat kyce të qytetit.