Në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, është zhvilluar takimi me personelin e Zyrës Vendore Arsimore Elbasan dhe drejtorët e shkollave të mesme, në kuadër të “Ditët e informimit të maturantëve”, me qëllim njohjen dhe informimin e nxënësve maturantë me institucionet e Arsimit të Lartë.
Veprimtaria shërben për njohjen e maturantëve më nga afër me universitetin, programet e studimit, personelin akademik etj.
Rektori i këtij universiteti Prof.dr. Skender Topi, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë që ka njohja e maturantëve me mundësitë që ofron universiteti, si programet e studimit, bursa të ndryshme përmes programeve të ndërkombëtarizimit, mjediset universitare, si salla leksionesh, laboratorë moderne etj. Rektori theksoi, bashkëpunimin e nevojshëm për zgjedhjen nga maturantët për programet e studimit që ofron Universiteti Elbasanit.
Drejtuesi i ZVA Elbasan, vlerësoi zhvillimin e këtij takimi, shprehu gatishmërinë së bashku me drejtorët e shkollave të mesme, prezentë në takim, për bashkëpunime të mëtejshme në Universitetin e Elbasanit.
Në fjalën e tyre zëvendësrektorët e universiteti, Prof.as.dr Peçi Naqellari dhe Prof.as.dr Elvira Fetahu, u ndalën në arritjet e universitetit, bashkëpunimet e vazhdueshme, akreditimin e programeve të studimit dhe shtimin e tyre në fusha që janë të kërkuara në tregun e punës dhe ndjekjen e studentëve dhe mbas përfundimit të ciklit të studimeve.