Festa pagane e Ditës së verës e cila traditën e ka në Elbasan, në qytetin e luleve, nuk mund të konceptohet e tillë pa fëmijët. Janë vogëlushët ata të cilët lumturohen dhe e presin me pa durim këtë festë. Larmi aktivitetesh kanë nisur të realizohen në të gjitha kopshtet e qytetit të Elbasanit, ku nën drejtimin e stafit të arsimit parashkollor, vogëlushet kanë performuar mjaft bukur, vjershat, këngët, lojëra të ndryshme si edhe dramatizime në fokus të të cilave kanë qenë për lulet, për dashurinë ndaj njëri-tjetrit e për ardhjen e Verës. Dekoret e bukura gërshetuar me veshjet verore dhe plot ngjyra kanë celur edhe siparin e festimeve të kësaj feste të lashtë në Elbasan.
Një skenë e vërtetë me plot ngjyra dhe lule, është krijuar vetëm pë vogëlushët, duke i kthyer ato në artistë të vërtetë. Me shumë profesionalizëm për moshën e tyre, vogëlushët realizuan një shfaqje të vërtetë, të interpretuar me mjaft dashuri. Ditën e sotme kanë perfomuar dhe festuar 8 kopshte për të vijuar me 8 kopshte të tjera ditën e nesërme, e për t’i lënë më pas vendin kopshteve parashkollore në qytet. Aktivitetet të cilat kanë nisur me kopshtet organizohen nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë z. Gledian Llatja, i cili një fokus të veçantë të festimeve ia ka kushtuar fëmijëve.
E pranishme në këto evente ka qenë edhe nënkryetarja e bashkisë Vesa Liço, e cila e vuri theksin tek vëmendja që bashkia ka për fëmijët, si e ardhmja e vendit. “Nuk mund të ketë festa pa fëmijët”, pohoi znj. Liço. Më e hershme se krishtërimi, Dita e Verës përcjell tek vogëlushët kënaqësinë që asnjë i rritur nuk mund ta ketë. Me ciltërsinë dhe naivitetin që kanë, vogëlushët janë të parët që nisin festimet dhe të fundit që i mbeten në mendje, duke i krijuar eksperienca të reja e emocione të bukura dhe të paharruara.