Elbasan/ Transportonte me autobus 9 emigrantë nga vendet e treta, vihet në pranga 57-vjeçari

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se me një autobus po transportoheshin 9 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, kanë organizuar punën duke ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Gramsh-Cërrik.

Si rezultat i kontrollit, në aksin rrugor Gramsh-Cërrik, në fshatin Ceruje, shërbimet e Policisë kanë ndaluar mjetin autobus që drejtohej nga shtetas F. L.

Nga kontrolli rezultoi se ky shtetas po transportonte me autobus, në drejtim të Tiranës, 9 shtetas nga Siria, kundrejt fitimit.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. L., 57 vjeç, banues në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe 1 aparat celular.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve.