Seanca gjyqësore në Elbasan për Svetlana Timofeva, shtetasen ruse e cila u kap brenda territorit të uzinës së armëve në Gramsh në gusht të vitit 2022 është shtyrë për shkak të mungesës së prokurorit.
Tashmë shteti rus kërkon ekstradimin e saj, të cilën rusja e kundërshton.
Në janar të këtij vitit Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka marrë nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, kërkesën zyrtare të autoriteteve gjyqësore të Federatës Ruse për ekstradimin nga Shqipëria në Rusi të shtetases ruse Svetlana Timofeeva.
Kjo shtetase aktualisht është e paraburgosur nën masën e sigurimit “Arrest në burg” caktuar për nevoja të procedimit penal nr.1168, viti 2022 të
Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.
Nga aktet e përcjella nga autoritete ruse të drejtësisë rezulton se shtetasja ruse Svetlana Timofeeva, lindur më 18.03.1989, është person i shpallur në kërkim në Rusi për veprën penale të “Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror”, parashikuar nga pika “a”, paragrafi 2 të nenit 283 të Kodit Penal Rus.
Kërkesa e autoriteteve ruse për ekstradim bazohet në vendimin datë 25.08.2022 të Gjykatës së Qarkut Meshchansky, Moskë, me të cilin është caktuar masa e sigurimit “Arrest ne burg”, për veprën penale të sipërcituar.
Në zbatim të nenit 492 të K.Pr.Penale, nga prokurori është marrë kontakt me shtetasen ruse për të cilën kërkohet ekstradimi Svetlana Timofeeva, e cila ka refuzuar të japë pëlqimin për ekstradimin e saj në Rusi.
Në vijim të veprimeve procedurale, më datë 10.01.2023, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka dorëzuar në gjykatë kërkesën me objekt : marrjen në shqyrtim të kërkesës së autoriteteve ruse për ekstradimin nga Shqipëria në Rusi të shtetases ruse Svetlana Timofeeva.
Top Channel