Një 54-vjeçar me inicialet M.K, është arrestuar dje nga policia, pasi ka mashtruar një qytetare në Elbasan, duke i thënë se ishte avokat dhe do i zgjidhte çështjen e bashkëshortit të saj. Nga veprimet hetimore dyshohet se 54-vjeçari i ka marrë 1.2 milionë lekë. “Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet policore të specializuara të DVP Elbasan, pas kallëzimit nga një shtetase, se një shtetas i kishte marrë një shumë parash, me anë të mashtrimit, referuan materialet në Prokurorinë e Elbasanit, e cila inicioi një hetim për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Si rezultat i hetimit tremujor, të ndjekur me metoda proaktive, në kuadër të operacionit policor të koduar “Manipulimi”, u vu në pranga shtetasi M. K., 54 vjeç, banues në Tiranë, të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e datës 23.01.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda. Nga veprimet hetimore dyshohet se 54-vjeçari i ka marrë 1 200 000 lekë të rinj, një shtetaseje, me pretendimin se ishte avokat dhe se do të përfaqësonte ligjërisht, në Gjykatë, çështjen e bashkëshortit të saj, i cili po vuante dënimin në IEVP Drenovë.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Apeli lë në burg Rozeta dhe Havier Dobin
Ndërkohë dje Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë pas hekurave Rozeta Dobin, 49-vjeçaren që grabiti banesën e zyrtares së kryeministrisë Alda Klosi ku ishte e punësuar si pastruese. Havier dhe Rozeta Dobit vodhën 120 mijë euro në banesën e zyrtares Alda Klosi, ndërsa 400 mijë eurot e tjera janë ende pa autor. Masa e arrestit me burg është vendosur edhe për djalin e saj, Havier Dobi. Rozeta Dobi e pranishme ne senacë bashkë me të birin Havierin, por nuk ka pasur kërkesë për ndryshim mase. Mësohet se Rozeta ka pranuar fajin për veprën penale, ndërsa ka pretenduar se është vetëm ajo përgjegjëse, duke u përpjekur për të lehtësuar pozitat e të birit. Pavarësisht pretendimeve të Havierit se nuk ka qenë i përfshirë për ngjarjen, pozitat e tij janë të rënduara pasi akuza ka pamje filmike që vërtetojnë se ai e ka pritur më shumë se 10 minuta në makinë jashtë pallatit të ëmën Rozeta, e cila mbështolli me batanije kasafortën që mori në shtëpinë e Alda Klosit dhe e çoi në shtëpinë e vetë. Po ashtu, pozitë rënduese për Havier Dobin janë edhe 50 mijë eurot që iu gjetën në brez gjatë momentit që policia e arrestoi. Vjedhja ndodhi në banesën e Alda Klosit ndodhi më 15 dhjetor të vitit 2022. Ndërkohë pak ditë më parë xhaxhai i Alda Klosit që jetonte në Amerikë, i cili sipas Klosit i kishte lënë shumën e parave për rregullimin e banesës, ka ndërruar jetë si pasojë e një sëmundje të rëndë. Nga ana tjetër, nuk dihet nëse hetimi i prokurorisë për 400 mijë eurot pa zot ka avancuar për të zbuluar pronarët e tyre ku dyshohet se gjithashtu janë vjedhur nga sanitarja Rozeta Dobi. Mesa duket deri më tani çështja ende nuk do kalojë në SPAK ndërsa prokurorja Mirela Zavalani po merret me hetimin e të ardhurave të Klosit.
Ishte në kërkim për vrasjen e një shtetasi grek, arrestohet 38-vjeçari shqiptar
Nga ana tjetër, dje 38-vjeçari Izbi Çaushi ka rënë prangat e policisë greke, pasi dyshohet se është autori i vrasjes së një 47-vjeçari grek në Kalamata. Sipas informacioneve të policisë, 38-vjeçari shqiptar fshihej në zonën e gjerë të Mesinisë dhe u arrestua në afërsi të fshatit Kitries , ku kishte lënë makinën që drejtonte ditën e vrasjes së 47-vjeçarit. Një vrasje ndodhi në Greqi të premten, ku të përfshirë rezultojnë 2 shqiptarë dhe 2 grekë, pronari dhe punonjësi i tij 50 dhe 40 vjeç. Në mediat greke raportohet se autorët, 38-vjeçari Izbi Çaushi dhe 22-vjeçari tjetër shqiptarë Aleksandër Koto po lëviznin me një makinë ‘Opel Corsa’ kur i bllokuar rrugën motoristit 47-vjeçar grek, duke e detyruar të ndalojë në kryqëzimin e Hidrës dhe Solonos dhe më pas kanë zbritur e kanë filluar ta dhunojnë. Menjëherë më pas njëri prej tyre, 38-vjeçari shqiptar ka qëlluar me armë “amerikanin” dhe më pas autorët janë futur sërish në makinë dhe janë ‘zhdukur’ me shpejtësi të madhe. Nga detajet e zbuluara rezulton se mes shqiptarit dhe viktimës ka pasur një mosmarrëveshje në lidhje me pazaret e drogës. Fillimisht u arrestua 22-vjeçari shqiptar. Të pandehurit grekë, pronari i restorantit 50-vjeçar dhe punonjësi i tij 40-vjeçar, mohojnë megjithatë se kanë ndihmuar dy të pandehurit për vrasjen dhe argumentojnë se bëhet fjalë për një keqkuptim.