Bashkia e Elbasanit e gjithë qytetarëve. Ky mbetet lajtmotivi edhe i këtyre ditëve në situatën e vështirë, që po kalojmë.
Ky institucion, si ekip i plotë dhe i organizuar, mbetet pranë të gjithë qytetarëve, deri sa kjo situatë e vështirë të kalojë pa pasoja për vendin tonë. Edhe këtë të diel aktivitetet humanitare në ndihmë të familjeve në nevojë nuk kanë reshtur.
Duke ju përgjigjur menjëherë kërkesave të banorëve të saj për ndihma në ushqime dhe medikamente, shoqata “La Luce Dell-Est”, në rrethin e Elbasanit me administrator Ardian Murrizin, të orientuar nga bashkia e Elbasanit kanë ndihmuar rreth 240 familje të komunitetit rom dhe egjiptian në Rajonin Nr 6, në lagjen e quajtur “Rrapishtë” në nevoja për ushqime.
Shpërndarja e 240 pakove është shoqëruar nga Policia Bashkiake, dhe ajo e Rendit për të ruajtur vijueshmërinë e shpërndarjes.
Nënkryetari i bashkisë, Ervin Saraçi, pohon se ” shpërndarja e pakove ndihmëse do të vijojë çdo ditë për familjet në nevojë duke përfshirë në këtë mënyrë edhe familjet në çdo njësi administrative”.
Ndërkohë, administratori i shoqatës Murrizi është treguar i gatshëm për të ndihmuar këto familje ndërsa nuk resht duke i kërkuar qytetarëve ndërgjegjësim për të qëndruar në shtëpi, e vetmja mënyrë kjo, për t’ia dalë në këtë situatë të vështirë pandemie. Më herët edhe shoqata dhe biznese të ndryshme në bashkëpunim me bashkinë, kanë shpërndarë dhe do të shpërndajnë ndihma për familjet në nevojë, ndërsa nuk duhet harruar se vaktet ushqimore janë shpërndarë në çdo shtëpi të moshuari, që merrnin shërbime në qendrat ditore.
Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, ndër të tjera i kërkon qytetarëve të jenë të kujdesshëm. Llatja shprehet: “Ne në punë – Ju në shtëpi, vetëm kështu ia dalim!”.