Bashkia e Elbasanit ka ndërrmarë një nismë, e cila konsiston në ndërgjegjësimin e brezit të ri, për menaxhimin sa më të mirë të mjedisit në territorin e qytetit të Elbasanit.
Nën moton “Mjedisi, vazhdimësia e jetës për një mjedis të shëndetshëm në kuadër të inisiativave lokale”, ky projekt i cili ka dy muaj që ka nisur, konsiston në angazhimin e të rinjve të 18 shkollave 9-vjeçare si edhe 8 shkolla të mesme, ku në fund do të organizohet konkursi mbi dijet në sjelljen ndaj ambjentit, si edhe aktivitete për mbajtjen pastër të mjedisit, pastrim, dhe mbjellje të reja.
Në këtë kuadër, aksioni i menaxhimit të mjedisit, ka vijuar në Kodër Krastë, i cili vitet e fundit është kthyer në një ambjent atraktiv, jo vetëm për pushues të shumtë, por edhe për artëdashësit e sportit. Nxënësit e shkollave 9 – vjeçare “Naim Frashëri”, dhe “ Onufri”, janë sensibilizuar për të pastruar ambientet e Kodër Krastës në kuadër të këtij projekti.
Ismail Dybeli, përfaqësues i Inspektoriatit të Mjedisit, ka pohuar se projekti në fjalë konsiston në dy faza, ku sipas tij faza e parë është pjesëmarrja e nxënësve në praktikë, e cila arrihet nëpërmjet aksioneve që po zhvillojnë shkollat, ku demostrojnë mënyrën sa e njohin ambjentin, si ta mirëmbajnë ambjentin. Faza e parë është mbyllur, dhe tashmë do të nisë konkursi në dije, i cili është në formë pyetësori, ku në fund nga praktika dhe pyetjeve, shkolla fituese do të vlerësohet me një bibiliotekë për shkollën me libra, me informacione për qytetin, enciklopedi, mjedis, trashëgimi kulturore dhe histori.
Nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Z. Gledian Llatja projekti ‘Shkolla e Gjelbërt” në fushën e mjedisit me baza vullnetare, ka partner Sektorin e Integrimit Europian Projekteve Strategjike dhe Ndihmës së Huaj, Alko-Impex, Zyrën Vendore të Arsimit, Organizata të Shoqërisë Civile si edhe Drejtoria e Mjedisit në Elbasan.
Qëllimi i këtyre aktivitete nga ana e Bashkisë, realizohet më qëllim rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të brezit të ri të Elbasanit në përputhje me menaxhimin sa më efektiv të qytetit.
“Implementimi i këtij projekti ka si synim të angazhojë të rinjtë e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme me konkurencë në dije, të kryejnë aksione në pastrim duke krijuar kështu rrjetëzim me të rinjtë e tjerë kontribues të mjedisit.
Pastrimi i zonave nga grupi i të rinjve është shtrirë në objektet e kultit në Elbasan, në zonën e kalasë si dhe në objekte të rëndësishme historike e kulturore. Ky aktivitet do të plotësohet edhe me informacione historike e mjedisore të zonës, si pjesë e trajnimit të të rinjve.