Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë të ditur se nga rezultatet e testimeve në 24 orët e fundit janë konfirmuar 21 raste pozitive me COVID-19, duke e çuar numrin e të infektuarve në 539. Albana Fico, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik tha sot në komunikimin për mediet se “në 24 orët e fundit janë testuar 253 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 21 raste pozitive me COVID19”.
“Nga rastet e reja 11 i përkasin Shkodrës dhe kemi 4 raste në Tiranë, 4 raste në Krujë dhe hartës i shtohet Kurbini me 2 raste”, tha Fico. Sipas saj, deri në këto momente janë testuar 5080 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 539 raste.
Edhe ditën e sotme Qarku i Elbasanit nuk shënoi raste të reja me Covid , ndërsa pritej përgjigja e një tamponi që mesa duket ka rezultuar negativ. Kështu Elbasani vijon me 16 raste, ndërsa qytetet e tjera të qarkut nuk regjistrojnë asnjë rast, për fat të mirë.