DVP Elbasan/Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme për një aksident në aksin rrugor “Qafë Thanë-Prrenjas”, ju bëjmë me dije specialistët e qarkullimit rrugor të DVP Elbasan arrestuan shtetasin I. M., 28 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti është përplasur me autobusin me drejtues I. A.
Nga ky aksident, ka marrë flakë automjeti që drejtohej nga shtetasi I. M. dhe janë dëmtuar 5 pasagjerët në të, të cilët janë në kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh arrestuan në flagrancë shtetasin R. M., 47 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila për shkak të dëmtimeve të marra, është në kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen E. P., 39 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, pasi në rrjete sociale është publikuar një video në të cilën kjo shtetase shfaqet duke vjedhur një unazë floriri, në një argjendari. Nga verifikimet dhe komunikimi me palët rezulton se 39-vjeçarja e ka kthyer aksesorin e vjedhur.