Elbasan, policët bashkiakë në terren për të shmangur grumbullimet e të moshuarve

Prefekti i Elbasanit, Maksim Malaj thirri mbledhjen e dytë radhazi për menaxhimin e situatës së krijuar nga koronavirusi dhe masat që duhen marrë për mospërhapjen e virusit.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja bëri me dije të gjitha masat e marra, prej dy ditësh tashmë për dezinfektimin e hapësirave publike, mjeteve të transportit urban e inter-urban, institucioneve, kontenierëve të mbeturinave etj, një procedurë kjo e cila do të jetë rutinë.

Po ashtu, Llatja garantoi qytetarët për cilësinë e ujit të pijshëm, analizat e të cilit kryhen çdo ditë dhe certifikohen. Janë marrë masat për zgjatjen e orareve të furnizimit me ujë, në ato zona ku uji është me orare të përcaktuara.
Qendrat Ditore që ofrojnë ushqim për personat në nevojë po e kryejnë këtë shërbim në banesa.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të ruajtur veten dhe të tjerët. Llatja kërkoi nga të rinjtë të shmangin baret dhe restorantet dhe grumbullimet, qofshin këto edhe në natyrë.

Llatja informoi se tashmë një grup i policisë bashkiake ndodhet në terren për të shmangur grumbullimet e të moshuarve nëpër parqe e lulishte. Punonjësit po këshillojnë të moshuarit për risqet e grumbullimit, sidomos për moshën e tyre. Përsa i përket sporteleve, kryetari i bashkisë njoftoi mbylljen e tyre dhe publikimin e numrit të telefonit për çdo rast urgjence.

I pranishëm në këtë mbledhje, drejtori i Drejtorisë së Policisë theksoi se në zbatim të urdhërave të qeverisë do të merren masa të menjëhershme për baret dhe restorantet si dhe për kontrollin e zbatimit të karantinimit të detyrueshëm (kur ky është i nevojshëm).

Drejtori i Shëndetit Publik, duke vënë në dukje faktin se askush nuk është imun në këtë situatë, theksoi se aktualisht nuk ka raste të prekura në Elbasan ndërsa çdo ditë merren analiza për personat e dyshuar. Po ashtu, Posta e Elbasanit ka mbyllur sportelet e saj, njësoj si çdo shërbim që funksionon i tillë. Aktualisht pensionet po dërgohen në banesa.