Elbasan/Një vit më parë vrau bashkëjetuesen, nënë e dy fëmijëve, prokuroria kërkon burg përjetë për autorin.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan  kërkon dënimin me burg përjetë për burrin që vrau  bashkëjetuesen e tij në banesë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 30 korrik 2022 në lagjen “Skënderbej” në Elbasan, në banesën që çifti kishte marrë me qera.

Pronarët e banesës ishin të parët që gjetën Jetlira Elezi, 37-vjeçe  të pajetë në mes të dhomës dhe të vrarë me thikë.

Sipas pronarit Xhafer Zdrava, dhoma e gjumit ishte e mbushur me gjak, ndërsa 37-vjeçarja ishte gjetur e vdekur në afërsi të dhomës së ndenjës.

Prokurori i çështjes Xhelian Seferi kërkoi që Ramis Mici të shpallet fajtor për akuzën “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” parashikuar nga neni 79/c i K.Penal, duke kërkuar përfundimisht dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Të dy vinin nga martesa të cilat kishin përfunduar në divorc dhe kishin nga dy fëmijë nga lidhjet e mëparshme. Jetlira mbante një nga fëmijët e saj, vajzën, ndërsa fëmijët e Ramisit ishin me ish bashkëshorten.

Autori ishte nga fshati Selitë në Mollas, ndërsa viktima nga një fshat i Belshit.