Elbasan; Nis puna për ndërtimin e Ujësjellësit të fshatit Branesh, përfitojnë 300 banorë

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja inspektoi sot punimet për ndërtimin e rrjetit të Ujësjellësit të fshatit Branesh në Funar. Llatja tha se ky investim i drejtpërdrejtë i bashkisë u siguron 300 banorëve të Braneshit brenda pak kohe furnizim me ujë të pijshëm nëpërmjet një rrjeti të ri të shpërndarjes dhe sistemit të ri të kanalizimeve.

“Ky është një investim i drejtpërdrejtë i bashkisë për rregullimin dhe sistemin e linjës së kanalizimeve të ujit të pijshëm dhe të kanalizimeve të ujërave të zeza. Është gati 2 km linjë e re e ujësjellësit po shtrohet për t’i ardhur në ndihmë gati 300 të banorëvë të këtij fshati”, tha Llatja.

“Ishte një problematikë e vazhdueshme e cila më në fund po gjen zgjidhje ashtu sic po ecim me investimet në ujësjellës dhe me punët e mira që po bëjmë në fshatra ashtu po ecim në të gjithë zonën e njësisë administrative Funar për të mbajtur rrjetin e rrugëve rurale. Në të gjithë bashkinë e Elbasanit janë më shumë se 800 km rrugë rurale të cilat kërkojnë mirëmbajtje të vazhdueshme por edhe hapje të rrugëve të reja për të lidhur këto fshatra”, theksoi ai.

Sipas Llatës, “prioriteti ynë i vazhdueshëm ka qënë mbajtja e të gjitha fshatrave në kontakt të vazhdueshëm dhe me infrastrukturë rrugorë në njësitë administrative”./atsh