Në Qarkun e Elbasanit ka nisur korrja e grurit që përfshin një sipërfaqe prej rreth 7 mijë hektarë. Krahasuar më vitin e kaluar pritet një rendiment më i ulët për shkak të kushteve jo të favorshme atmosferike të shfaqura në muajt shkurt dhe mars. Një faktor tjetër ka qenë infeksioni i barërave të këqija të pa trajtuara me spërkatjet e nevojshme gjatë dimrit .
“Për korrjen e grurit këtë vit janë angazhuar të gjitha mjetet nuk ka pasur probleme me mjetet e korrjes dhe shirjes. Ne si drejtori nuk ka munguar asnjëherë këshillimi në kohën e duhur për çdo fermer”, tha Natasha Berdufi, Specialiste AREB Korçë Sektori Elbasan.
Gjithsesi një rënie e sipërfaqes së mbjelle me grurë është vërejtur tek fermerët e zonës , kjo për arsye të mungesës së tregut dhe rënies së fuqisë punëtore. Aktualisht një kg grurë shitet 25-30 lekë çka është pak për të mbuluar kostot e kultivimit.
Një rendiment më i lartë në kulturën e grurit në këtë sezon korrjesh, pritet në ato ferma ku fermerët janë subvencionuar nga skemat mbështetëse për çdo hektarë tokë nën kulturë.