Elbasan/Në 9 muaj zbulohen 34 raste me kancer gjiri

Spitali i Elbasanit po përballet me fluksin e grave që kërkojnë të bëjnë mamografinë, ndërsa mjeku onkolog tha se kontrollet duhet të kryhen gjatë gjithë vitit për të kapur sëmundjen në kohë. Nga Janari në Shtator janë diagnostikuar 34 gra me kancer gjiri.

Ndërmjet 2002 grave që kanë kryer mamografinë, 34 kanë rezultuar të prekura nga kanceri i gjirit. Shifrat i përkasin Shërbimit të Onlokologjisë në Elbasan për periudhën janar-shtator 2023. Mjeku onkolog Artan Çomo rendit shkaqet se pse gratë po preken gjithnjë e më shumë nga sëmundja.
“Ndryshimet e jetës seksuale, obeziteti, stresi, kanë bërë që rastet të shtohen cdo vit”, tha Artan Çomo, Mjek onkolog.

Mjeku shprehet i shqetësuar për faktin se gratë “kujtohen” të vizitohen gjatë muajit tetor, duke krijuar fluks në spital. Ai përcjell mesazhin se kontrolli ndaj shëndetit duhet të kryhet gjatë gjithë vitit.

“Nuk është vetëm muaji tetor për vizita sepse është një sëmundje që duhet kontrolluar gjatë gjithë vitit. Edhe aparatura (mamografi) që kemi mbingarkohet në tetor”, tha dr. Çomo.

Këto pamje janë dëshmi se gratë janë dyndur këto ditë tetori për të kryer kontrolle. Ato vijnë nga zona të ndryshme të Elbasanit dhe shumë prej tyre e bëjnë mamografinë për herë të parë.

Mosha që prek më shumë kanceri i gjirit është ndërmjet 50-60 vjeç por nuk përjashtohen grate e vajzat në moshë të re.