Elbasan, nderohet Dr. Sulejman Peza merr titullin “Nderi i Qarkut”

Këshilli i Qarkut të Elbasanit ka zhvilluar sot ceremoninë e dhënies së titullit “Nderi i Qarkut të Elbasanit”, Dr. Sulejman Peza, i cili ishte nderuar me këtë titull që në muajin Shkurt. Këtë vlerësim e tërhoqën familjarët e tij pasi Dr. Sulejman Peza humbi betejën me COVID dhe ndërroi jetën në moshën 75-vjeçare marsin e këtij viti. Kryetari i Këshillit të Qarkut, Bukurosh Sfafa, në fjalën hapëse të kësaj ceremonie, ka sjellë në vëmendjen e të gjithë të pranishmëve kontributin që Dr.Peza ka dhënë.

Për të vlerësuar kontributin e Dr.Pezës ishin të pranishëm figura të ndryshme, deputeti Florenc Spaho, Tana Kika, Drejtoreshe e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Alfred Peza, të cilët kanë theksuar cilësitë dhe vlerësimet e merituara të doktor Pezës. Ata vunë theksin se shërbeu me përkushtim deri në momentin e fundit të gjithë qytetarëve.

Mes emocionesh dhe falenderimesh është shprehur edhe djali i doktor Pezës, ndërsa titulli “Nderi i Qarkut” është dhënë nga kryetari i Këshillit me motivacion “Për merita të vecanta dhe kontribut të shquar dhënë në fushën e veterinarisë, si intelektual, përfaqësues i denjë i qarkut Elbasan.

Familja e Dr. Pezës është një familje me tradita intelektuale dhe arsimdashëse. Dr. Peza është nderuar nga Instituti Amerikan i Biografive me qendër në Universitetin e Kembrixhit dhe Uashington D.C me titujt “Personalitet i Shekullit XX”, “Personalitet publik Ndërkombëtar”. Ky institut e ka vlerësuar me medaljen e artë dhe i ka dhënë dy herë titullin honorifik Guvernator, drejtor i institutit amerikan për Evropën.