Ka marrë fund odiseja më shumë se 30 vjeçare për shkak të mungesës së rrugës për banorët e zonës së largët të Labinotit Mal.
Ka qenë një nga rrugët e premtuara kjo e Labinotit Mal, një prej investimeve të premtuara e stërpremtuara nga dhjetra qeveri por, vetëm pak muaj më parë u bë realitet, si një perspektivë reale për zhvillimin e agroturizmit, që lidh zonat rurale të asaj krahine me potenciale të larta zhvillimi ekonomik me qendrat urbane të bashkisë së Elbasanit.
Vetë kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja u kishte premtuar banorëve se gjatë mandatit të tij të parë do të bënte të mundur që kjo rrugë të përmirësohej dukshëm dhe tashmë ky premtim u kthye në realitet.
E banuar qysh në lashtësi, Labinoti Mali, ofron një peisazh sa të bukur nga natyra që e rrethon, aq edhe nga bimësia si dhe arrorrët që mbulojnë të gjithë zonën, për mos lënë pa përmendur edhe masivin pyjor.
Labinoti Mal, Njësia Administrative e Elbasanit, e përbërë nga 9 fshatra, njihet edhe për zbulimin e disa varreve Ilire, që tregon se është një zonë e populluar që në këtë periudhë. Në këtë zonë ndodhen edhe rrënojat e një kishe – varrezë të shek.IV si dhe xhamia 400 vjeçare. Banorët e kësaj zone njihen për punëtorë, gjë kjo që të bie në sy, teksa sheh tokat e punuara si të stolisura me duar dhe jo me vegla bujqësore.
Duke qenë se janë shumë pranë njëra-tjetrës, fshatrat në këtë zonë kanë një bashkëjetësë miqësore me njëri-tjetrin.
Dikur një zonë e Çermenikës, sot e Elbasanit, Labinoti Mal, ishte lënë në harresë prej vitesh, që në kohën kur në këtë zonë kalonin vetëm mjetet që transportonin dru, por sot, rruga është bërë lehtësisht e kalueshme. Kjo do t’u shërbejë banorëve të kësaj zone.