Dhjetëra ton qershi që prodhohen në zonën e Godoleshit në Elbasan, vazhdojnë të transportohen ende me mënyra primitive. Mungesa e rrugës, por edhe e tregut, ka vështirësuar se tepërmi punën e banorëve të kësaj zone. Zona e Godoleshit njihet ne rrethin e Elbasanit për prodhimin e disa varieteteve të qershive. Por mungesa e tregut dhe e rrugës në këtë zonë, ka bërë që kultivuesit e këtij fruti të hasin mjaft vështirësi.
Në pamundësi për t’u futur mjetet, banorët e zonës detyrohen t’i transportojnë qershitë me kafshë, një mënyrë kjo sa e lashtë aq edhe efikase për kushtet ku ndodhet sot zona e Godoleshit.
“Rrugën e bëjmë me gomarë, çfarë të bëjmë. Te rruga nuk mban mend njeri të jetë ndërhyrë ndonjëherë”, ankohen banorët e zonës.
Fermerët e zonës kanë kapacitete të prodhimit të qershive disa dhjetëra ton, dhe këtë sasi janë të detyruar ta transportojnë me kafshë, pasi kërkesat për një rrugë deri më tani kanë rënë në vesh të shurdhër.