Drejtoria e Kujdesit Shëndetësor Elbasan informon se gjatë ditës së djeshme janë marrë 13 tamponë në fasonerinë në të cilën u konfirmua pozitiv me Covid-19 shoferi i autobuzit që bënte transportin e punonjësve. Lajmi i mirë është që të gjithë kanë rezultuar negativ.
Ditën e djeshme në Elbasan kanë rezultuar pozitiv një burrë 62-vjeç, shofer autobusi dhe gruaja e tij, të cilët janë me banim në lagjen 5 Maji. Me këto dy raste numri i të prekurve në Elbasan shkon në 18, ndërsa prej disa ditësh nuk ishin konstatuar raste të reja, dhe kishte një rritje të numrit të të shëruarve.
Në qarkun e Elbasanit janë 1500 persona të karantinuar, 200 prej të cilëve me detyrim. Që prej datës 10 Mars në qarkun e Elbasanit janë bërë 285 testime për Covid-19, nga të cilët kanë rezultuar pozitiv 18.
Ndërkohë lajme të mira vijnë nga bashkitë e tjera të qarkut Elbasan. Librazhdi, Përrenjasi, Peqini, Belshi dhe Cërriku nuk kanë asnjë rast të prekur me Covid-19.
Sipas epidemiologëve megjithse ditët e fundit ka patur një shtim të rasteve të identifikuara me Covid-19 duhet thënë se më e keqja ka kaluar dhe situata është optimiste. Gjithashtu ata theksojnë se masat e marra deri tani kanë pasur impakt absolut, pasi janë marrë në kohën e duhur”.