Elbasan/ Ish-Konservimi, zona ku 40 vite nuk njihte investime, sot i kthyer në një kantier ndërtimi

Rruga “Tomorr Domi”, në zonën e quajtur ish Konservimi, vijojnë me intensistet punimet për rehabilitimin e sheshit të dy pallateve, e cilat kishte 40 vjet që nuk ishte ndërhyrë.

Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, i shoqëruar nga drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri, kanë inspektuar punimet në këtë zonë, ku aktualisht po kryhet shtrimi i asfaltit.

 Të mirëpritur nga banorët si edhe Shoqëria Civile, Z. Llatja e vuri theksin tek punët e nisura dhe që vijojnë në shumë lagje, periferi dhe fshatra të qytetit.

“Kemi nisur një aksion në të gjithë Elbasanin, për rehabilitimin e rrugëve, shesheve të pallateve. Aktualisht ndodhemi tek këto dy pallate ku infrastruktura duhet të ishte bërë para disa vitesh pas përfundimit të pallateve të reja. Rruga “Tomorr Domi”, ku janë rreth 300 banorë të cilët jetojnë tek dy pallatet e reja, por janë edhe 10 biznese që përfitojnë drejtëpërdrejtë nga ky investim që kemi përfunduar së fundmi”.

  Ishte një kërkesë e kahershme edhe e vetë banorëve të cilët e kanë dashur rehabilitimin e këtij sheshi të pallateve, pasi situata e shirave e përkeqësonte rrugën.

“Kemi ecur me disa projekte edhe me Shoqërinë Civile për t’i marrë mendim, por kemi bërë edhe disa kontrata, edhe me Tjetër Vizion, për rritjen e shërbimeve në bashki, por edhe investimet në infrastrukturë, për infrastrukturën e brendshme të lagjeve por edhe shkollave”, shtoi Z. Llatja. Sipas tij “kjo rrugë ishte një premtim, por edhe një kontaratë mes bashkisë dhe Shoqërisë Civile, të cilën e realizuam. Ky ka qenë një shesh pallatesh problematic për banorët edhe për fëmijët”.

  Bëhet fjalë për zonën e ish Konservimit, një ish zonë industriale e pa zhvillluar dhe e lënë mbas dore, e cila shërbente vetëm për magazina dhe biznese, por që tashmë i është kthyer ritmit normal të banimit.

Është parashikuar me planin e PDV – së që kjo zonë të zhvillohet të hapen rrugët të cilat do të lidhen me rrugët kryesore. Është një aks i cili fuqizon pjesën e qarkullimit edhe të brendshëm të lagjeve. Tashmë punimet konsistojnë në fazën e parë të asfaltimit të sheshit të pallatit i cili ndikon drejtëpërdrejtë në përmirësimin e jetesës së 300 banorëve.

 “Ne po ndërhyjmë gati në 30 akse, kemi përdorur të gjitha formulat e mundshme, me ndihmën e qeverisë me anë të FSHZH- së, por edhe me mbështetjen financiare buxhetoreë të bashkisë Elbasanit. Kemi ndërhyrë dhe po ndërhyjmë në shumë segmente rrugore, si në qytet edhe në fshat. Kemi problematika infrastrukturore, jemi koshient për këtë, problematika të trashëguara, problematika të cilat ne po i adresojmë dhe po i zgjidhim.

 Po bëhen më shumë se 50 akse rrugore në vit të brendshme të lagjeve të cilat po rehabilitohen. Shumë shpejt po fillojmë një sërë investimesh të tjera si në qytet, në zonat rurale dhe në fshat, jemi gjatë të gjithë kohës në krye të detyrës. Kemi punë për të bërë, dhe jemi koshient që ne do t’i bëjmë këto punë siç i kemi nisur do të vazhdojmë në cdo cep të Elbasanit, si në qytet edhe në fshat”, shtoi Llatja.

Drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri ka vlerësuar nisjen e punimeve në këtë zonë, si edhe mirëkuptimin e banorëve.

“Kemi qenë dëshmitarë që gjatë këtij viti në Elbasan po hapen shumë kantiere ndërtimi, po ndërhyet në të gjitha akset, sidomos në periferi të qytetit dhe në ato lagje ku nuk ishte kryer asnjë investim, dhe kjo falë punës së mirë të bashkisë, mbështetjes së qeverisë, si edhe mirëadministrimit të fondeve lokale, punës të gjithë zyrtarëve të bashkisë, të cilët në bashkëpunim me komunitetin kanë rënë dakord që të ndërhyjnë në atë infrastrukturë që edhe banorët e kërkojnë”, tha Z. Gjiknuri.

Ai është ndalur edhe tek punët e Bashkisë, por edhe mbështetja që i është dhënë kryebashkikut Llatja tani edhe në vijim, për të çuar përpara të gjitha punët e nisura dhe shumë të reja pas këtyre.

“Puna flet vetë, më vjen mirë se Gledi e ka nisur punën në mënyrë sistematike me sira një nga një, dhe mbështetja nuk do ti mungojnë. Kjo është edhe arsyeja pse kryetari aktual kërkon të mbështetet me një mandat tjetër nga qytetarët që të vazhdojë punët e nisura të transformojë Elbasanin”.

Zoti Gjiknuri, e vuri theksin edhe tek investimet e mëdha të qeverisë shqiptare për Elbasanin, siç është Koridori i 8 – të, By- Passi i ri i Elbasanit, Auto Moto Parku, shëtitorja anës lumit të Shkumbinit, e cila do të jetë një hapësirë rekreative.

“Bashkia do të sistemojë të gjitha lagjet dhe Elbasani do të bëhet më i mirë dhe më i bukur. Këtë kërkojnë të gjithë qytetarët, nuk duan betejat politike të Tiranës, janë ngopur me historitë ta kthejmë elbasanin në kështjellë të një partie për t’ju kundërvënë qeverisë. 

 Elbasanllintë janë njerëz të punës, janë qytetarë të cilët e duan zhvillimin dhe modelin e kanë përditëe nëpërmjet bashkisë, Gledit në terren dhe të gjithë ne që e mbështesim nga pas, me qëllim që të realizohen të gjitha kërkesat e qytetarëve.

 Kjo është moto jonë puna flet vetë, e di që do të na sulmojnë, me fjalët “vijnë për një asfalt elektoral”, por ne vijmë përditë me nga një punë. Kjo është detyra jonë. Ata do të na sulmojnë, por ne do të vazhdojmë punën, sepse kjo është marrëveshja jonë që kemi bërë me qytetarët. Punët do të vazhdojnë, kjo lagje do të zgjerohet”.

  Nga ana e tyre banorët kanë falenderuar këtë investim, i cili kishte 40 vjet pa parë asnjë ndërhyrje në infrastrukturë, në këtë zonë me intensistet të lartë banimi, dhe është një zonë e cila ka perspektiva për zhvillim.