Ish-Kombinati Metalurgjik, i cili pas viteve ‘90 thuajse u shkatërrua dhe doli jashtë funksionimi, vitet e fundit po rimerr jetë. Kjo falë besimit që i është krijuar investitorëve por edhe lehtësirave fiskale ofruar nga qeveria shqiptare. Nga viti në vit, ambjentet e këtij gjigandi të madh industrial po rindërtohen, duke u hapur shumë fabrika dhe kompani të mëdha biznesi, pjesa më e madhe e të cilave prodhohen me logon “Made in Albania”, për t’u eksportuar në Europë e Ballkan. Ambientet e kompanisë “Anmetal” që ushtron aktivitetin e saj prej vitit 2013 në prodhimin e profileve metalike, procesin e zinkimit dhe barrierave mbrojtëse për rrugët, prodhimet e së cilës përdoren për eksport në Itali, Rumani, Greqi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, e kanë vizituar drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit Damian Gjiknuri, si edhe kryetari i bashkisë Gledian Llatja. Gjatë një bashkëbisedimi me administratorin e kësaj kompanie Aleksandro Bardhi, z. Gjiknuri bëri me dije mbështetjen që qeveria i ka dhënë dhe do t’i japë investitorëve, kryesisht në zonën industriale ‘Ish-Metalurgjia’ në Elbasan.
“Me një pozicion të mirë gjeografikisht, Elbasani është një pikë strategjike, me njerëz të kualifikuar, linjën e energjisë e ka ndër më të mirat, për shkak të ndërtimit të rrjetit, ndaj në perspektivën tonë është që shumë nga industritë të zhvillohen këtu. Ndaj natyrshëm nga ana jonë por edhe Bashkia Elbasan, do të keni mbështetje maksimale pasi këto janë produkte me vlerë të shtuar sepse bëhen në Shqipëri dhe eksportohen edhe jashtë. Me të vërtetë janë hedhur shumë investime nga investitorët privatë, që kanë qenë vende të braktisura industri të shkatërruara dhe tashmë janë me të gjitha parametrat e kohës. Ndërkohë që shumë shpejt ju duhet të privatizoheni sepse ju takon”, tha Gjiknuri.
Më pas, ata kanë vizituar edhe ambientet e mobileri “Beta”, një prej shumë sipërmarrjeve model në Elbasan, lider në përpunimin e drurit që operon në treg me një gamë të gjerë produktesh prej vitit 1999.
“Qeveria do vijojë të jetë aleat i sipërmarrjeve të tilla duke u krijuar lehtësira fiskale që më pas përkthehen në injektim kapitali për ekonominë shqiptare, zgjerim të biznesit dhe vende pune për qytetarët”, pohoi z. Gjiknuri. Sakaq kryebashkiaku Llatja siguroi se “Elbasani i përket njerëzve të thjeshtë e punëtorë që kanë sakrifikuar, guxuar dhe investuar dijet dhe kursimet e tyre për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu. Elbasani gjithmonë ka zgjedhur mençurisht, nuk është bërë peng i kapriçove megalomane, as i tam-tameve e borive për pushtet, as i goreve politike që duan ta bunkerizojnë për interesa personale. Për Elbasanin do të vazhdojmë me po të njwjtin vizion, këmbëngulje dhe dashuri punët e nisura që duheshin bitisur në 30 vite tranzicion”.
Një tjetër kompani e madhe lider në fushën e përpunimit të metaleve, është edhe ““M&M TOPUZI konstruksione metalike”, një repart model me kualitet të lartë prodhimi sipas standardeve europiane.
“Ka një kualitet të lartë prodhimi, ka vlerë të shtuar inxhinierike, dhe pajisje të cilat e gjejnë veten në të gjithë Europën”, tha z. Gjiknuri, gjatë bashkëbisedimit me administratorin e kësaj fabrike. “Elbasani e ka mundësinë për të qenë një qendër industriale, ka aftësi, ka edhe rrjetin më të mirë energjitik. Këto janë produkte me vlerë të shtuar dhe Elbasani duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi. Filizofia e qeverisë shqiptare, ishte që të gjithë rrwnojat industriale ish-komuniste t’i kthejmë në një aset kombëtar për të gjithë industrinë e vendit. Nuk ka më mirë që produkti “Made in Albania” shkon kudo. Ndaj Bashkia dhe qeveria do të mbështesin biznesin në Elbasan”.