Sekuestrohen 48 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, 2 automjete, 3 aparate celulare dhe 1 thikë.
Arrestohen në flagrancë 4 shtetasit që transportonin lëndën narkotike, me qëllim shitjen e saj.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për transportimin e një sasie lënde narkotike nga disa shtetas, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policise Elbasan, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar “DRAGOT 2021”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
S. M., 25 vjeç, M. H., 22 vjeç, F. Y., 25 vjeç, banues në Vlorë dhe P. B., 22 vjeç, banues në fshatin Pilur, Himarë.
Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, gjatë operacionit, në rrugën që lidh Lushnjën me Belshin, në Dragot, bënë lokalizimin dhe bllokimin e automjeteve me të cilat dyshohej se transportohej lënda narkotike.
Nga kontrolli fizik i personave të arrestuar dhe mjeteve tip ”Audi A6” dhe “Volkswagen” u gjet lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, me peshë 48 kilogramë, 1 thikë dhe 3 aparate celulare.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, 3 aparate celulare, 1 armë e ftohtë (thikë) dhe 2 automjetet.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.