Dy muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, në bashkinë e Elbasanit ka ende familje që ende nuk kanë siguruar një çadër për të futur kokën. E tillë është familja Kumria në fshatin Gjonme të bashkisë së Elbasanit.
Tërmeti ua bëri banesën e vjetër të pabanueshme dhe në kushtet e një harrese totale, kryefamiljari Shaban Kumria i sëmurë me astmë, tregon se ku është detyruar të kalojë netët e ftohta të dimrit së bashku me bashkëshorten e tij.
“Ne jetojmë te kasollja ku rrinte lopa, aty flejë me gjithë gruan”, thotë Shaban Kumrija.
Sikur të mos mjaftonte kjo situatë mjerane, për bashkëshorten e Shabanit, një dhimbje e madhe është edhe largimi i fëmijëve të saj për shkak se nuk kanë ku të rrinë në familjen e tyre.
Kalvari i vuajtjeve për një banesë për familjen Kumria nisën që në vitin 2013 ku tërmeti i atij viti ja dëmtoi rëndë banesën, ndërsa lëkundjet e 26 nëntorit e bënë të rrezikshme për të qëndruar brenda saj. Ndërkohë nga bashkia e Elbasanit shprehen se e njohin rastin e familjes Kumria, së cilës i kanë dërguar ndihma ushqimore dhe batanije, por kanë mungesë çadrash./A2