Elbasan/ E arrestuar për spiunazh në Shqipëri, sot mbahet gjyqi për rusen Svetlana Timofeeva! Rusia kërkon ekstradimin e saj

Sot zhvillohet seanca gjyqësore në gjykatën e Elbasanit, ndaj shtetases ruse Svetlana Timofeeva, e arrestuar për spiunazh, verën e vitit të kaluar në Shqipëria, pas sulmit në ish-uzinën e armëve në Gramsh. Rusia kërkon ekstradimin e saj, pasi është në kërkim për spiunazh.

Rusia ka kërkuar më 12 janar ekstradimin e Timofeevës pasi ajo është e shpallur në kërkim atje nën akuzën për spiunazh. Timofeeva kërkohet të ekstradohet pasi Moska e ka shpallur në kërkim për veprën penale të marrjes së paligjshme të informacionit që përbën sekret shtetëror, e parashikuar nga Kodi Penal rus. Gjykata e Qarkut Meshchansky në Moskë ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë në 25 gusht 2022. Por, Svetlana Timofeeva kërkon të mos ekstradohet drejt Moskës.

Si ndodhi ngjarja?

Dy rusët Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç dhe 25-vjeçarin ukrainas Fiodor Mihailoviç, po fotografonin ambientet në Uzinën e Armëve, teksa kanë tentuar që të futen brenda, u pikasën nga ushtarët shqiptarë të cilët u kanë bërë me shenjë që të ndalojnë. Ato nuk u janë bindur urdhrave të ushtarëve shqiptarë, ndërsa njëri prej tyre Mikhail Zori, i ka sulmuar me spraj kimik. Të tre u arrestuan nga policia, ndërsa u hetuan edhe si spiunë të shërbimit sekret rus. Në makinën me targa ukrainase, që po përdorej prej tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri u gjetën 2 dronë, 4 celularë, 1 laptop, 1 kamer, karta memorie, 3 pasaporta, 2 aparate fotografikë, harta, të cilat u sekuestruan nga policia.

Lajmi në përditësim…