Elbasan, çatitë me material kancerogjen në lagjen ‘Kala’! Kryeinspektori: Pronarët 20 ditë afat për heqjen e eternitit

Disa godina të rrënuara në brendësi të lagjes “Kala” në Elbasan janë të mbuluara me eternit, një material kancerogjen shumë i dëmshëm për shëndetin e banorëve të lagjes muzeale. Eksperti i mjedisit, Ahmet Mehmeti tha për Report Tv se shkakton kancer në mushkëri.

“Grimcat e pluhurit të eternitit futen në mushkëri, mund të shkaktojë edhe kancer. Ka një ligj që ndalon përdorimin e tij në Shqipëri”, tha Ahmet Mehmeti, ekspert i pavarur mjedisit.

Sipas tij, institucionet shtetërore duhet të marrin masa menjëhere për të hequr çatitë me material eterniti që kanë mbetur në lagjen e Kalasë prej kohës së diktaturës.

“Përpos se është i dëmshëm shkakton dhe pamje të shëmtuar në këto godina të braktisura”, u shpreh ai.

Ndërsa Kryeinspektori i Mjedisit në Elbasan, Ismail Dybeli shprehet se pronarëve të objekteve u është lënë afat 20 ditë për të hequr materialin e dëmshëm, pasi sipas tij, Inpektorati nuk mund të ndërhyjë në subjekte private.

“Kemi lënë porosi që brenda 20 ditësh pronarët të heqin këto materiale. Vetë pronarët e kanë për detyrë të kontaktojnë kompanitë e licencuara për asgjësimin e materialeve të dëmshme”, tha Ismail Dybeli.

Amiant, azbest apo eternit, njihet me emra të ndryshëm dhe prej vitesh është cilësuar si katastrofë për shëndetin publik. Gjendet jo vetëm në Elbasan por në shumë qytete të vendit, sidomos në objektet e ndërtuara në vitet ’50-’60. Është vërtetuar shkencërisht se fibrat e azbesit janë kancerogjene dhe lehtësisht të transmetueshme në organizëm.

Advertisement