Elbasan/ Bust në qendër të qytetit, për nder të heroit kombëtar Qemal Stafa

5 Maji, kjo ditë e shënuar për mbarë vendin tonë, ka vijuar me të tjera aktivitete në Elbasan. Pas homazheve të kryera tek Varrezat e Dëshmorëve, aktiviteti ka vijuar në qendër të qytetit, ku  është inaguruar busti i Qemal Stafës, djalit të ri nga Elbasani, që lidhet edhe 5 Maji, dita e simbol e përkujtimit të dëshmorëve, pasi është pikërisht dita ku Qemal Stafa u vra.

Qemal Stafa ishte bashkëthemelues i Grupit Komunist të Shkodrës, pjesëtar në takimin e themelimit të partisë, anëtar i Komitetit Qëndror dhe sekretar politik i të rinjve.

Ndaj është nder për Elbasanin që në qendër të qytetit të ngrihet busti i një figure

si Qemal Stafa, veprimtaria revolucionare e të cilit ra në sy të pushtuesve italianë e bashkëpunëtorëve të tyre, ndaj më 5 Maj 1942 u rrethua nga fashistët italianë në Tiranë dhe u vra duke luftuar heroikisht.

Qemal Stafa ishte edhe një letrar i talentuar. Krijimtaria e tij u takon kryesisht viteve të rinisë. Shkroi tregime, skica e vjersha, një pjesë e të cilave u botuan me pseudonimin “Brutus” në shtypin përparimtar të kohës. Radhitet ndër letrarët e viteve ’30. Në shkrimet e tij ai u ngrit kundër realitetit shoqëror të kohës, vuri në qendër njerëzit e thjeshtë që vuanin nga padrejtësitë shoqërore, dha portrete të luftëtarëve e të njerëzve me karakter të fortë që nuk mposhten nga vështirësitë e që luftojnë për një botë të re.

Në shkrimet e tij me karakter publicistik Qemal Stafa paraqiti haptazi idetë e tij revolucionare me pjekuri e bindje të thellë. Trashëgimi i tij letrar është përmbledhur në vëllimin “Qortimet e vjeshtës”(1961)