Festa e fundvitit, të cilat kanë thuajse një javë që kanë nisur në Elbasan, nuk mund të mbyllen pa vlerësuar me mirënjohje legjendat e sportit, të cilat prej shumë dekadash kanë dhënë kontribut të vyer për sportin e Elbasanit.
Në një ceremoni festive, ku merrnin pjesë veteranë të sportit, familjarë të ish-sportistëve të cilët nuk jetojnë më, artëdashës, dhe sportistë, kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja ka nderuar ish sportistët, Mihal Gjika, Ferdinand Lleshi, Shefikat Kovaçi, Vehap Xhindoli, Ymer Bakalli, Hyqmet Shypheja, Shyqyri Hyskjan, Petro Banushi, Ali Mirakun, Skënder Qorrin, Xhabir Hoxhën, Pirro Janin, Aledin Shabanajn, Sami Kotorrin, Firdus Gjevorin, Kujtim Bishqemin, Platon Mirakun dhe Mirand Backen si sportistë elitarë ndër vite, të cilët kanë ngritur lart emrin e qytetit dhe klubit të Elbasanit në rang kombëtarë e më tej.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Llatja shprehu mirënjohjen dhe falenderimet për kontributin e vyer të tyre që kanë dhënë ndër dekada për sportin elbasanas, ndërsa e vuri theksin tek historia e gjatë e sportit ndër vite. “ Elbasani ka qenë dhe do të mbetet një nga qytetet i cili e ka dashur sportin, kulturën e arsimin, por mbi të gjitha sportin. Edhe pse kemi pasur vështirësi në fillim, por ne kemi arritur ta ngrejmë sërisht emrin e sportit në Elbasan, dhe ta çojmë atje ku ai e meriton. E rëndësishme është që me klubin shumësportësh ne të largojmë të rinjtë nga veset e këqija, fëmijët larg teknologjisë, dhe t’i kthejmë tek klubet e Elbasanit. Ndaj ne po ecim në rrugë të mbarë me klubin shumësportësh, duke i dhënë një mbështetje të madhe të gjithë sporteve të cilat i konsiderojmë aktive në qytet. Nuk e kemi ndarë asnjëherë qytetin nga fshati, por gjithmonë kemi mbështetur talentët e rinj, dhe t’i finacojmë edhe vetë por edhe me mbështetjen e bizneseve, tha Z. Llatja”.
Drejtori i Klubit shumësportësh Artin Kovaçi, edhe një herë shprehu angazhimin e sportistëve edhe në të ardhmen, duke falenderuar Bashkinë e Elbasanit për mbështetjen që ka dhënë për ngritjen lart të emrit të sportit në Elbasan, ku një kujdes të veçantë sipas tij ka dhënë kryetari Gledian Llatja.