Elbasan/ Ambasadori i BE komenton bojkotin e institucioneve të drejtësisë ndaj “Komisionit Xhafaj”

NGA FATMIR POPJA

-Ambasadori i BE Silvio Gonzato nga Elbasani ka reaguar lidhur me bojkotin që institucionet e drejtësisë i kanë bërë komisionit “Xhafaj”. Gonzato bëri apel që pavarësia e institucioneve të drejtësisë të respektohet ndërsa shtoi se BE do të vazhdojë të asistojë komisionin “Xhafaj” për të bërë të mundur konsolidimin e Reformës në Drejtësi. Nuk mendoj që ata ishin kundër komisionit. Ata gjykuan se kontributi i tyre në punën e komisionit duhet të trajtohej ndryshe. Unë mendoj që media nuk e interpretoi drejtë mënyrën dhe mendimet e përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gjyqësorit dhe Spak.

Ajo që është e qartë është fakti që ne duhet të respektojmë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Kjo do të thotë që do të nevojitet kontributi i tyre, por do të duhet të konsolidohet Reforma e Drejtësisë e vitit 2016.

Kjo na bëri që të ndihmonim me ekspertizën tonë për komisionin në mënyrë që të përshpejtohen të gjitha përpjekjet që kanë të bëjnë me parandalimin e korrupsionin, mirëqeverisjen dhe  konsolidimin e Reformës në Drejtësi. I pyetur nga gazetarët në lidhje me protestat e opozitës ambasadori u shpreh se Opozita ka mënyra të ndryshme për të denoncuar mungesën e demokracisë dhe nuk mendoj që djegia e karrigeve është mënyra më e mirë.