Një 30-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Elbasanit, pasi dyshohet se është autori i 4 vjedhjeve të ndryshme në qytet.
Sipas “Bluve” gjatë arrestimit të shtetasit E.S është gjetur dhe sekuestruar edhe një kaçavidë të cilën autori e përdorte për të hapur dyert.
Pika e dobët e “skifterit” nga Elbasanit duket se kanë qenë dyqanet, pasi 3 nga 4 vjedhjet e tij i ka kryer pikërisht në këto biznese.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Zbardhen 4 raste të vjedhjeve, identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar, i dënuar më parë për vjedhje.
Sekuestrohet një mjet (kaçavidë) që i arrestuari dyshohet se e ka përdoruar për të realizuar vjedhjet.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pas marrjes së kallëzimit nga administratori i një dyqani, për vjedhjen e disa produkteve në dyqanin e tij, kanë organizuar punën për zbardhjen e vjedhjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në vijim të veprimeve hetimore, në kuadër të operacionit “Përsëritësi”, bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”, i shtetasit:
E.S., 30 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë për vjedhje.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka kryer disa vjedhje, në qytetin e Elbasanit, konkretisht:
-Më datë 09.01.2023, gjatë natës, dyshohet se ka vjedhur produkte ushqimore, në një dyqan;
-Më datë 08.01.2023, dyshohet se ka vjedhur vegla pune, në një dyqan, në lagjen “Partizani”;
-Po më datë 08.01.2023, në lagjen “Syrja Dylgjeri”, dyshohet se ka vjedhur baterinë e një makine;
-Më datë 04.01.2023, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash dhe steka cigaresh, në një dyqan, në lagjen “Skënderbej”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme./abcnews.al