Eksperti i sigurisë Ergys Muzhaqi: “Dua të bëj publike një gangrenë të shkeljes së të drejtave qytetare”

Eksperti i sigurisë dhe anëtari i Këshillit Bashkiak Elbasan ka ndarë me ndjekësit e tij në Facebook përvojën me policinë e qarkullimit rrugor.
Statusi i plotë:
U bë shkak një ndalesë nga një pikë kontrolli (ose kurth gjobash) i policisë së qarkullimit rrugor që të lajmërohesha për KATËR gjoba të vëna në mungesë përgjatë DY viteve të fundit, për të cilat nuk kisha dijeni, pamvarësisht kontrolleve të herëpashershme që i bëj e-albanias!
Që mos i hyj këtu mënyrës së trajtimit nga policët, me të cilët do të merrem në rrugë ligjore privatisht, dua të bëj publike një gangrenë të shkeljes së të drejtave qytetare nga ana e policisë së shtetit me këto gjobat:

1- Shkelet e drejta e informimit, ku qytetarët nuk arrijnë të marrin vesh që janë gjobitur.

2- Shkelet kësisoj e drejta e ankimimit për gjobën e marrë, aq më tepër që në asnjë moment gjoba në mungesë nuk shoqërohet me prova të kuptueshme mbi vërtetësinë e saj. Mbetet fjala e policit kundër fjalës së qytetarëve!

3- Shkelet e drejta e shfrytëzimit të lehtësisë që ofron ligji për ulje 50% të vlerës së gjobës nëse paguhet brenda një kohe të shkurtër. Ndërsa këto gjoba qytetarët detyrohen t’i paguajnë të plota e me kamatë (plus atij 700 lekëshit komision nga posta për çdo gjobë, që ta bën akoma më të shpifur sikletin).

Pa llogaritur këtu që trajtohesh si kriminel nga policët të cilëve u thua që nuk ke gjoba në e-albania, ndërkohë që, triumfatorë e përbuzës, të flakurijnë suve arrogancën e një realiteti që vetëm ata kanë akses ta kontrollojnë !

Ndjesë për zgjatjen e pazakontë për statuset e mija, por jam gati të nis një lëvizje civile për vendosjen e një precedenti ligjor që sanksionon mënyrën se si policia e shtetit gjobit në mungesë, për mbrojtjen e të drejtave qytetare që përmenda më lart (edhe nëse egziston korniza ligjore nuk funksionon dhe merret për bazë vetëm versioni i policisë dhe qytetarët mbeten të pambrojtur).

Si mendoni?