“Ekipi është cilësor dhe me këmbë në tokë”, Deliu: Elbasanit i duhet qetësi të mundë Vllazninë

Vendi i dytë në kampionat, me 12 pikë të grumbulluara në 7 javë, për një skuadër që vjen nga Kategoria e Parë nuk janë pak.

Kështu shprehet në intervistën për “Panorama Sport” ish-trajneri dhe ish-futbollisti Luan Deliu, i cili i bën një pasqyrë të qartë ekipit verdheblu. Sipas tij, Elbasani duhet të jetë me “këmbë në tokë” dhe ka nevojë për mbështetje nga të gjithë, edhe kur humb, apo nuk bën lojëra të mira, për të mos u ngarkuar më shumë emocionalisht. Për ndeshjen me Vllazninë, Deliu ka besim se Elbasani do të luajë për maksimumin. Fakti që luhen tri ndeshje në shtëpi, për specialistin e futbollit nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë, sepse ka ikur koncepti i faktorit “fushë” dhe një skuadër cilësore fiton jashtë dhe brenda.

Deliu, si ju është dukur Elbasani në këto 7 javë të para të kampionatit?

Në pozitat që ndodhet mund të them që ka bërë një nisje shumë të mirë, sepse pas shumë kohësh ne marrim pjesë në Superiore. E kam thënë edhe më herët që Elbasani po përpiqet të ndërtojë diçka që i përket të tashmes e të ardhmes dhe kjo është bërë realitet. Kanë qenë me “këmbë në tokë” kur kanë mbërritur deri në këtë pikë. Përjashto disa momente të ndërtimit të lojës, në përgjithësi paraqitjet kanë qenë të mira dhe jemi në rrugë të mbarë, falëpunës që po bëhet aty.

Këtë javë është ndeshja me Vllazninë, si e shihni?

Vllaznia po udhëheq kampionatin dhe nuk është rastësi. Bëhet fjalë për një emër të madh të futbollit shqiptar. Gjithnjë me Vllazninë kemi bërë lojëra ndër më të bukurat dhe shpresoj që do të ketë një motiv më shumë ndaj saj. Ekipi duhet të jetë edhe më i qetë, vlerësimi duhet të jetë maksimal. Nuk besoj se Elbasani do të jetë pasiv, por një ekip aktiv që do të kërkojë rezultatin.

VLADIMIR MEMA